Kim Jong Un: Koreja e Veriut do të pajisë flotën detare me armë bërthamore

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka njoftuar se vendi do të vazhdojë modernizimin e marinës ushtarake duke e pajisur atë me armë bërthamore dhe duke ndërtuar anije luftarake gjithnjë e më të mëdha.

Sipas medies shtetërore koreanoveriore KCNA, Kim i bëri komentet gjatë ceremonisë së futjes në shërbim të anijes luftarake “Choe Hyon”, një prej dy destrojerëve prej 5 000 tonësh të lëshuar vitin e kaluar, në portin e Namphos.

“Programi për pajisjen e marinës me armë bërthamore po ecën sipas planit”, deklaroi Kim, duke e cilësuar atë si një element kyç për forcimin e kapaciteteve bërthamore të shtetit.

Koreja e Veriut kishte njoftuar më herët se anija “Choe Hyon” është e pajisur me “armatimin më të fuqishëm”, ndërsa në prill Kim mbikëqyri edhe një testim të raketave lundruese të lëshuara nga kjo anije.

Lideri koreano-verior bëri të ditur se së shpejti do të hyjë në operim edhe destrojeri “Kang Kon”, ndërsa më pas vendi synon të ndërtojë një seri anijesh strategjike prej 10 000 tonësh.

“Pas Choe Hyon do të vëmë në shërbim ‘Kang Kon’. Më pas do të ndërtojmë njëra pas tjetrës anije strategjike prej 10 000 tonësh”, tha ai.

Sipas planit të shpallur, Pheniani synon të ndërtojë çdo vit dy anije luftarake sipërfaqësore më të mëdha dhe më të avancuara se “Choe Hyon”, përfshirë edhe një kryqëzor prej 10 000 tonësh.

Ekspertët vlerësojnë se një anije e kësaj madhësie do të kishte rëndësi të madhe simbolike për Korenë e Veriut.

Profesori i studimeve ushtarake Choi Gi-il tha se një flotë e tillë do të tregonte vendosmërinë e Phenianit për të mos mbetur më pas në fuqinë detare krahasuar me Korenë e Veriut.

Analistët besojnë se mesazhi kryesor i këtij zhvillimi i drejtohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit kryesor ushtarak të Koresë së Jugut.

Sipas ekspertit Lim Eul-chul, vendosja e raketave lundruese me koka bërthamore në anije do ta vështirësonte ndjeshëm planifikimin mbrojtës të SHBA-së dhe Koresë së Jugut në rast konflikti.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Kim premtoi përshpejtimin e modernizimit ushtarak, duke akuzuar SHBA-në dhe Korenë e Jugut se po e çojnë Gadishullin Korean “në prag të një lufte bërthamore”.

Koreja e Veriut e ka shpallur veten një fuqi bërthamore “të pakthyeshme” që prej dështimit të samitit të vitit 2019 në Hanoi mes Kim Jong Un dhe presidentit amerikan të atëhershëm Donald Trump.

Ndërkohë, rreth 28 500 trupa amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara në Korenë e Jugut për të mbështetur mbrojtjen e saj ndaj kërcënimeve nga Pheniani.