Medikamente të reja nga ‘lepurushi i detit’

Lepurushi i detit është një ndër krijesat më të bukura të thellësive detare. Komuniteti shkencor është i angazhuar thellësisht në studimin e tij, për shkak të substancave kimike që organizmi i tij përmban, të cilat mund të shërbejnë në krijimin e medikamenteve të reja dhe efikase në të ardhmen.

Emri shkencor është Joruna parva, por për shkak të ngjashmërisë me lepurin ka marrë edhe emërtimin “lepurush deti”. Është një molusk detar, me madhësi prej pak centimetrash dhe është i njohur për pamjen karakteristike që ka. Gjendet kryesisht në ujërat e Japonisë dhe Filipineve në Oqeanin Indian dhe ushqehet me sfungjerë apo kandilë deti helmues.

Nga këto kafshë, me të cilat ushqehet, ai asimilon toksinat në trupin e vet, çka i shërben si vetëmbrojtje ndaj grabitqarëve. Pikërisht kjo aftësi ka nxitur interesin e shkencës. Këto krijesa janë shpallur dhe futur në listën e gjallesave që duhen mbrojtur, pasi janë në rrezik zhdukjeje, edhe për faktin se gjenden vetëm në zona të caktuara të botës, në ujëra aziatike.

Lepurushi i detit, ky kërmill i ujërave të thella pa guaskë, ka edhe një tjetër veçanti. Nuk ekzistojnë ekzemplarë të ndarë meshkuj apo femra, pasi janë kafshë hermafrodite. Kjo do të thotë se përmbajnë të dy organet riprodhuese, edhe pse për këtë proces është e nevojshme të çiftohen me një ekzemplar tjetër.