Berisha: Ripërtëritja e PD do të vazhdojë edhe në forumet e tjera, mbështesim fuqishëm protestën

Kreu i PD-së u shpreh se ripërtëritja e Partisë Demokratike do të vijojë edhe në forumet e tjera drejtuese të saj, duke theksuar se procesi i nisur në Kuvendin Kombëtar ka sjellë ndryshime të dukshme në përbërjen e strukturave të partisë.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të PD-së për protestën qytetare, duke sqaruar se ajo nuk është partiake, por një nismë e hapur ku anëtarët dhe simpatizantët marrin pjesë si qytetarë pa simbole politike.

Berisha theksoi gjithashtu se partia dënon çdo formë presioni ndaj protestuesve dhe vlerësoi ecurinë e procesit të brendshëm të ripërtëritjes së strukturave drejtuese.

Elda Menga, TCH: Zoti Berisha, përmes kësaj qeverie ekspertësh qytetarët po synojnë të zgjedhin dhe një klasë të re politike. Ndërkohë, duke mos finalizuar ende zgjedhjen e re të kupolës drejtuese të partisë, a po lini mundësinë e hapur që të kemi një konfigurim të ri të lidershipit, jo vetëm për t'i dhënë frymëmarrje të re partisë, por për të ngjallur besimin edhe te qytetarët në mënyrë që bindjet e tyre, ose kjo kauzë e tyre, të përkthehet nesër në votë për Partinë Demokratike?

Sali Berisha:

Tani, unë kam qenë shumë i qartë. Kjo protestë mbështetet plotësisht dhe tërësisht nga Partia Demokratike, anëtarët dhe simpatizantët e saj. 
U është bërë thirrje në mënyrën më të përditshme që të marrin pjesë në protestë. Një. 
Dy, është deklaruar dhe deklarohet se protesta nuk është e Partisë Demokratike. Është protestë qytetare, ndaj dhe u është kërkuar të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të partisë të shkojnë aty si qytetarë. Jo me logot, me simbolet e partisë. 
Dhe kjo ka ndodhur. U jam shumë mirënjohës ndaj tyre që kanë zbatuar me përpikmëri direktivën. 
Së treti, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe çdo përpjekje të Edi Ramës, të patronazhistëve, çdo lloj presioni të paligjshëm që bëhet ndaj protestuesve dhe eksponentëve të saj direkt nga Edi Rama dhe pastaj nga kori i tij. 
Këto janë qëndrimet tona. 
Përsa i përket Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka pasur një proces mund t'ju them shumë të suksesshëm në Kuvendin Kombëtar. Kuvendi Kombëtar u shpall Kuvendi i Ripërtëritjes së partisë dhe në mënyrë absolute bazuar në votën e atyre delegatëve, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka dalë dhe është këshilli i ripërtëritjes. 
Ndaj dhe ju mund të merrni listën dhe shihni se si në këtë këshill numri i të rinjve është dyfishuar, përqindja e grave ka arritur në 38-39% vetvetiu me votën. Pra, ka një hap. 
Tani pritet që ky hap të transpozohet ose të pasqyrohet dhe në zgjedhjen e forumeve të tjera të partisë. Është në tagrin e delegatëve, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të reflektojnë dhe të pasqyrojnë frymën e Kuvendit Kombëtar. 
Nuk ka asnjë lidhje me asnjë faktor tjetër përveç një çështje teknike të lokacionit që ka të bëjë këtu sepse janë zgjatur punimet në një nga ambientet dhe po shpresoj të përfundojë sa më parë.