EMRAT/ Gjenden bimë kanabisi ne Vaun e Dejës, arrestohen vëlla e motër, procedohet kryeplaku
Gjatë një operacioni të policisë në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Ndërkohë që janë prangosur 2 shtetas (vëlla e motër), Pal dhe Agetina Pepaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Policia njofton se është proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.
Njoftimi:
Vau i Dejës
Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.