E rrallë në Sarandë, 49-vjeçari 1 vit në burg për…një depo uji në fshat

Një 49-vjecar nga fshati Metoq i Sarandës, ndodhet prej 1 muaji në burg, pasi është dënuar nga gjykata me 1 vit heqje lire në mungesë, për ndërtim pa leje. Nuk bëhet fjalë për vendim dënimi për asnjë nga qindra rastet e ndërtimeve pa leje të lokaleve, pallateve apo hoteleve në bregdet, por për një depo uji në fshat.

Kristaq Dai, 49 vjeç, prind i një fëmije, banues në fshatin Metoq, rreth 5 km larg qytetit, është ndaluar nga policia në 30 maj të këtij viti, si person në kërkim, i dënuar nga Gjykata e Sarandës me 1 vit heqje lirie për “ndërtim të paligjshëm”. Vendimi për dënimin e tij ishte dhënë në 22 korrik të një viti më parë nga gjyqtari Entiljano Spahiu, në mungesë të të pandehurit. Ai akuzohet se në 21 dhjetor 2020, është evidentuar nga inspektorët e IMT të Bashkisë Sarandë se “po ndërtonte një armaturë dërrase dhe hekuri me qëllim ndërtimin e një depo uji, pa u pajisur me lejen përkatëse nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Bashkia Sarandë”.

Inspektorët e Bashkisë Sarandë e kanë kapur 49-vjeçarin duke ndërtuar depon me dërrase e hekur pranë banesës së tij në fshat, në një tokë jo në pronësi të vetë dhe krahas dënimit me 5 milionë lekë të vjetra gjobë, i kanë referuar dokumentacionin në prokurori. Për gjykatën e Sarandës nuk ka mjaftuar fakti që i pandehuri rezultonte i padënuar dhe më arsim vetëm 8-vjeçar, por ka cilësuar rrethanë rënduesë faktin që ai i është shmangur procedimit dhe gjykimit.

Vendimi për dënimin e tij ka marrë formë të prerë në 29 tetor të një viti më parë. Pas 7 muajsh ai është arritur të kapet nga Policia e Sarandës dhe është dërguar në një burg të sigurisë së zakonshme për vuajtjen e dënimit. Disa ditë më pas, 49-vjecari Dai, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Sarandës për rivendosje në afat të së drejtës së ankimit, duke pretenduar se në gjykimin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk është njoftuar, duke u gjykuar pa u dëgjuar, duke mos pasur dijeni për vendimin nr. 23-2025-1266/157, datë 22.07.2025.

Megjithatë ditën e djeshme, gjyqtari Mexhit Doci e ka rrëzuar kërkesën e 49-vjecarit duke e lënë në burg. Argumenti i gjykatës për rrëzimin e kërkesës së tij ishte se “rivendosja në afat lejohet vetëm në rastet kur i pandehuri është gjykuar pa praninë e tij, sipas nenit 351 të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur dijeni për procesin, dhe që nuk ka marrë dijeni për vendimin përfundimtar të dhënë ndaj tij. Në rastin konkret, referuar shkresave të Komisariatit të Policisë Sarandë, provohet se kërkuesi, nuk ka marrë dijeni personalisht për procesin e zhvilluar ndaj tij. Këto akte nuk janë arritur t’i komunikohen personalisht palës kërkuese, pasi ai nuk është mundur të gjendet në adresën e vendbanimit të tij”.

Ky është një nga rastet tepër të rralla kur një shtetas përfundon në burg për këtë vepër penale në Sarandë. Në morinë e dosjeve të gjykuara në këtë gjykatë, për ndërtime deri edhe lokale, pallate e hotele pa leje, ato kanë përfunduar me dënime kryesisht të pezulluara me kusht, ku askush nuk ka shkuar qoftë edhe një ditë në qeli.