Berisha: Rama gllabëroi Livadhin dhe kanionin e Gjipesë, projektet luksoze janë pa emrin e zhvilluesit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp me gazetarët, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka “gllabëruar” zonat e Livadhit dhe kanionit të Gjipesë përmes projekteve luksoze.
Ai tha se këto projekte janë pa transparencë dhe pa të dhëna të qarta për zhvilluesit. Berisha akuzoi qeverinë për përfshirje në skema të dyshuara pronësore dhe për fshehje të dokumentacionit zyrtar. Sipas tij, këto zhvillime prekin disa nga zonat më të rëndësishme natyrore në jug të vendit.
Ai shtoi se do të vazhdojë denoncimet publike për këtë çështje.
Fjala e tij:
Por unë, këtu para jush, në mënyrë të përsëritur, kam denoncuar plaçkitjen nga familja e tij, e ndjera nënë e tij dhe vëllai i tij, natyrisht së bashku, të njërit prej kanioneve më të bukura të botës, kanionit të Gjipesë.
Kanioni i Gjipesë rreshtohet në 20 kanionet më të çmuara të planetit.
Ky bajloz i zi i pangopur, i vuri syrin kanionit të Gjipesë.
Dhe kur unë e ngrita problemin, mashtroi shqiptarët dhe u tha se ato toka janë diku atje majë malit.
Majë malit të Kolekëve. U kujtohet apo jo kur bënte me dorë si i çmendur?
Dhe janë të gjitha mbi rrugën automobilistike, në një kohë kur kanioni është buzë detit.
Dhe për këtë Edi Rama vetëm pse paraqita kanionin, një hotel të ndërtuar në formë ure, që e dënonte me vdekje kanionin, se ishte me ngjyrë të bardhë, ky tani thotë hoteli është, por do jetë i qelqtë.
Tani mban librin të fshehur sepse mban pronat e tij.
Urdhëroni, në Livadh të Himarës, librin liston Livadh Resort, në projekt prej 242 mijë metër katror.
E gllabëroi Livadhin, Livadha është, kush nuk e njeh, është ajka, është kurora më e bukur e Himarës.
Tani na del Gjipeja, një nga plazhet më të veçanta të jugut. E zbriti nga mali i Kolekës në plazh tani.
Shfaqet një projekt luksoz, një hotel prej xhami në rajon.
Projekti top sekret, nuk ka zhvillues.
A nuk paraqita unë këtu para një jave blerësin pa shitës?
A u kujtohet?
Për në Vuno. 15 mijë metër katrorë tokë të blera nga Salvator Aliu, një qytetar trafikant nga Elbasani apo nga Kavaja, nuk di nga është, por se nga kush e bleu Salvator Aliu, top sekret.
Paraqitëm këtu kartelat e parcelave të cilat kishin blerësin, por jo shitësin.
Shitësi jo.
Dhe, faktin tjetër, se i ndjeri Artan Lame, 5 ditë pasi paraqiti hartën e Vunoit, në të cilën ai territor i blerë nga Salvator Aliu, figuronte tokë publike.
Dhe pas pesë ditësh, Artan Lame shkarkohet menjëherë nga detyra.
I ndjeri pas pak vdiq, por ai nuk pranoi, duhet të jemi të vërtetë, nuk pranoi të regjistronte as kanionin e Gjipesë, as tokën në Vuno si pronë private të Edi Ramës.
Nuk pranoi, jo, ishte tokë publike.
Projekti nuk ka zhvillues të emërtuar, nuk e thotë ai këtë, top sekret, dhe mua më ka paditur pse unë kam paraqitur para jush fotografitë e kanionit me një hotel si urë.
Projekti nuk dihet ku do ndërtohet, por mbetet i listuar në faqet e librit.