Aksident i rëndë në Romë, taksia përfundon në trotuar dhe plagos rëndë 53-vjeçaren shqiptare
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Romë, ku një taksi, që dyshohet se ka qenë pa frena dore, ka dalë nga kontrolli dhe ka përfunduar në trotuar duke përplasur një grua.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit të së mërkurës, 24 qershor. Sipas informacioneve të para, automjeti ishte i parkuar përpara një banke, midis Piazza Barberini dhe Via Sistina, kur është vënë në lëvizje dhe ka përshkuar rreth 50 metra pa kontroll, duke përfunduar edhe në vitrinën e një dyqani.
Si pasojë e aksidentit, një 53-vjeçare me origjinë shqiptare është përplasur. Ajo është transportuar me urgjencë në spitalin “Policlinico Umberto I” në Romë, në gjendje të rëndë (kod i kuq), nga shërbimi i emergjencës 118.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë bashkiake të Romës, të cilat po hetojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e aksidentit.