Lana të quhet 'Lumi Rama’

Gazetari Gjergj Erebara ka propozuar në një postim në Facebook që Lumi Lana të quhet simbolikisht “Lumi Rama”, si formë proteste ndaj mënyrës së qeverisjes dhe gjuhës së përdorur ndaj kritikëve të qeverisë.

Sipas tij, riemërtimi do të ishte një masë e përkohshme simbolike deri në pastrimin e lumit dhe rikthimin e normalitetit institucional në vend.

Postimi i plotë: 

DEKLARATË

Duke marrë parasysh gjendjen e Lumit Lana dhe duke pasur parasysh se protestuesit janë etiketuar gjatë më shumë se tre javëve me çdo lloj fyerjeje, nga "derra" e "sorra" deri te mesazhi i famshëm "fuck you" i artikuluar së fundmi ndaj kritikëve në median ndërkombëtare, propozojmë që, deri në një njoftim të dytë, Lumi Lana të quhet simbolikisht "Lumi Rama".

Ky propozim bazohet në një logjikë të thjeshtë: një lumë që mbledh gjithë ujërat e zeza të Tiranës meriton të mbajë emrin e njeriut që ka drejtuar vendin për 13 vjet dhe vetëm vjell vrer për çdokënd që mendon ndryshe e kërkon llogari prej tij.  Aq më tepër që Lana është katandisur kështu i qlelbur në këto 26 vjet kur Rama ka Në fund të fundit, kolektori kryesor politik i korrupsionit, arrogancës, propagandës, klientelizmit dhe kapjes së shtetit ndodhet në Kryeministri.

Theksojmë se kjo është një masë simbolike dhe e përkohshme. Nuk kemi asgjë kundër emrit historik Lana. Përkundrazi, sapo të largohet Rama nga pushteti, të vendoset kolektori i vjedhur në funksion, të pastrohet lumi dhe të marrë fund ndotja kronike e tij, do t'i rikthejmë menjëherë emrin që ka mbajtur ndër dekada.

Ftojmë qytetarët, mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale që, si formë proteste simbolike, ta përdorin emrin "Lumi Rama" deri në rehabilitimin e plotë të lumit dhe rivendosjen e normalitetit institucional në vend.

Nga sot, sa herë të kaloni pranë Lanës, kujtoni se problemet nuk rrjedhin vetëm në shtratin e lumit. Ujërat e zeza të Tiranës përfundojnë në Lanë, por kolektori kryesor i Shqipërisë ndodhet në Kryeministri tek Rama.