Gjendjet shëndetësore që mund të përkeqësohen gjatë motit të nxehtë

Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë gjendjen ekzistuese shëndetësore tek disa njerëz.

Qytetarëve u këshillohet të pinë mjaftueshëm lëngje, të qëndrojnë në dhoma të freskëta, të shmangin ekspozimin në diell dhe të kontrollojnë të afërmit dhe fqinjët.

Gjithashtu kujtohet se fëmijët e vegjël dhe kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen pa mbikëqyrje në automjete në asnjë rrethanë. Gjatë valëve të të nxehtit, njerëzit me probleme të caktuara shëndetësore mund të vërejnë një përkeqësim dhe mjekët theksojnë katër gjendje që janë veçanërisht të rrezikshme, raporton Index.hr.

Sëmundje të zemrës

Fiziologu Michael Crawford shpjegoi se si nxehtësia ekstreme ndikon në zemër.

"Sistemi kardiovaskular duhet të bëjë një përpjekje shtesë për të liruar nxehtësinë dhe për të ftohur trupin", tha ai, duke shtuar se kjo çon në rritje të rrahjeve të zemrës dhe djersitje të shtuar, të cilat mund të shkaktojnë rënie të presionit të gjakut.Siç deklaroi ai, "sa më gjatë të qëndrosh në vapë, aq më e madhe është barra në zemër".

Moti i nxehtë mund të shkaktojë gjithashtu takikardi, ose rrahje të shpejta të zemrës, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën në disa raste.

Gur në veshka

Urologu Dr. Arash Akhavein i Spitalit Cedars-Sinai paralajmëron se njerëzit janë më të rrezikuar nga gurët në veshka gjatë motit të nxehtë.

“Dehidratimi në kushte të nxehta dhe të thata është një rrezik i madh për formimin e gurëve”, tha ai dhe shtoi se “sa më shumë djersitni dhe humbni lëngje, aq më e përqendruar bëhet urina, dhe kur është shumë e përqendruar, mineralet kristalizohen më lehtë dhe formojnë gurë”.

Podagra

Personat që vuajnë nga podagra, një formë e artritit, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë muajve të verës. Hulumtimet tregojnë se moti i nxehtë dhe i lagësht mund të rrisë rrezikun e sulmeve të podagrës, madje edhe kur qëndrojnë në hapësira me ajër të kondicionuar.

"Temperaturat më të larta shkaktojnë djersitje të shtuar, e cila mund të çojë në dehidratim", shpjegon Shoqata e Edukimit për Podagrën.

Ai tha gjithashtu se dehidratimi mund të rrisë nivelet e acidit urik, gjë që shkakton sulme të podagrës.

Dhimbje koke

Ndryshimet në presion dhe temperaturë mund të shkaktojnë dhimbje koke, kështu që njerëzit e prirur ndaj migrenës janë më të ndjeshëm ndaj sulmeve gjatë motit të nxehtë. Sipas Fondacionit të Migrenës, një e treta e të prekurve përmendin dehidratimin si shkaktar.

Drita e ndritshme e diellit mund të shkaktojë gjithashtu dhimbje koke dhe të aktivizojë rrugët nervore të ndjeshme ndaj dritës që lidhen me migrenën.

“Stresi i shkaktuar nga temperaturat e larta rrit gjithashtu nivelet e kortizolit, i cili është një tjetër shkaktar i njohur”, shton organizata shëndetësore WMC Health.