Bytyçi: Shqipëria e Edi Ramës ka bashkëpunuar më shumë me Beogradin sesa me Kosovën

Perceptimi historik se Shqipëria është mbështetësja e pakushtëzuar e Kosovës po cilësohet si një iluzion i rrezikshëm dhe i pabazuar në realitet. Një analizë e zhvillimeve politike të njëmbëdhjetë viteve të fundit ngre akuza të forta ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke e portretizuar atë si një lider që ka punuar në mënyrë të vazhdueshme kundër interesave thelbësore të shtetit të Kosovës.

Këto komnete i ka parashtruar studiuesi Enver Bytyçi gjatë një bisede me moderatorin Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv.

Pavarësisht se Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitesh, asnjë përpjekje konkrete nuk është bërë nga Tirana zyrtare për të shtyrë përpara anëtarësimin e Kosovës në këtë aleancë. Ndërkohë, raportohet se shtete si Turqia kanë treguar një angazhim shumë më të madh në këtë drejtim. Në një samit të NATO-s, kryeministri Rama dyshohet se ka mbrojtur hapur Serbinë, duke bërë thirrje që Beogradi të mos sanksionohet për refuzimin e masave ndëshkuese ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Ky qëndrim tregon një anim të qartë të Tiranës drejt Beogradit, duke lënë në hije interesat e Prishtinës.

Afrimiteti i Ramës me presidentin serb Aleksandar Vuçiç raportohet se ka prodhuar disa nga iniciativat më të rrezikshme për Ballkanin, duke nisur nga idetë e errëta për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Më vonë sipas studiuesit Bytyçi, Tirana dhe Beogradi intensifikuan presionin për projektin "Open Balkan", i cili cilësohet gjerësisht si një përpjekje serbe për krijimin e një Jugosllavie të re, ku Kosova do të humbiste pavarësinë dhe peshën e saj ndërkombëtare.

Enver Bytyçi: Të them se në Kosovë ka më shumë iluzione sesa një realitet të caktuar që e lidh perceptimin e Kosovës me atë çfarë ndodh në Shqipëri dhe çfarë bëjnë liderët shqiptarë. Në përgjithësi dhe historikisht Kosova ka jetuar me imazhin se Shqipëria është gjithmonë suporti më i madh për Kosovën. E vërteta është pak më ndryshe, sepse ne kemi vënë re se suporti i liderëve shqiptarë ka variuar në raport me të qenit pro Kosovës ose jo pro saj. Në rastin konkret që diskutojmë prej 13 vjetësh për Edi Ramën, ne duhet të themi hapur se Edi Rama ka vepruar kundër Kosovës. Dhe duke qenë se ka vepruar kundër Kosovës, iluzioni se Shqipëria anëtarësohet në BE dhe kështu Kosova përfiton, është një iluzion i pavërtetë. Kemi shembullin, Shqipëria është prej kohësh anëtare e NATO-s, por nuk është Shqipëria ajo që ka këmbëngulur dhe është interesuar që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike.

Përkundrazi, është Turqia ndoshta vendi që ka këmbëngulur më shumë në këtë aspekt. Madje Edi Rama saktësisht, ka bërë thirrje në një samit të NATO-s që të mos rëndohet dhe të mos qortohet Beogradi dhe Serbia për mosvënien e sanksioneve ndaj Rusisë në momentin kur ndodhi agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Pra që do të thotë se Shqipëria e Edi Ramës ka qenë me një suport më të madh për Beogradin sesa për Kosovën. Dhe në këtë aspekt nuk mund të dhe nuk duhet të jetohet me iluzione. Unë paralajmëroj çdo kënd në Kosovë që shikon fasadat në Tiranë dhe hiperbolizon rolin e Edi Ramës, ndërkohë që ajo çfarë shprehin protestuesit e shumtë dhe të pandalshëm do ta quaja, është krejt e kundërta e asaj çfarë percepton dikush ose disa sa i takon rolit dhe peshës së Edi Ramës, sidomos në raport me Kosovën. Mos harrojmë se Edi Rama është ai i cili inicioi bashkë me zotin Vuçiç, meqë flasim për marrëdhënien e të dyve, ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve, dhe e angazhoi me intriga dhe me presion edhe Hashim Thaçin në këtë aspekt. Është Rama ai që bashkë me Vuçiç iniciuan dhe bënë presion që edhe Kosova të bëhej pjesë e Open Balkan. Dhe në fakt kjo iniciativë serbe ishte kundër Kosovës, ishte me qëllim që të krijohej një Jugosllavi e re ku Kosova të ishte brenda saj dhe jo si shtet i pavarur.

Por ka edhe aspekte të tjera pafund. Në qershor të vitit 2023 duhet t'i kujtoj shikuesve të Kosovës, ishte Edi Rama që anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do bëhej në Gjakovë. Dhe ky ishte sanksioni i parë që u ndërmor kundër Albin Kurtit pse po promovonte kryetarët e komunave në veri të Kosovës, dhe kundër Kosovës jo kundër Albin Kurtit. Dhe fill mbas kësaj pasuan edhe ato sanksione për të cilat Kosova ka vuajtur nga Bashkimi Europian. Ishte Edi Rama iniciuesi i këtyre bashkë me Emmanuel Macron. Kështu që mendoj që Kosova nuk duhet të jetojë në iluzionin e një Shqipërie me çdo kusht në ndihmë dhe në respekt të saj. Duhet ta shohë realitetin me sy real dhe të mbajë qëndrimet që duhet të mbajë. Nuk mund të jemi konformistë vetëm për faktin se Shqipëria është shteti amë, siç përcaktohet në Kosovë. Por tashmë ka kaluar edhe koncepti i shtetit amë, sepse Kosova është shtet vetë. Dhe për pasojë nuk mund të ketë një shtet amë. Është absurde ta mendosh që Kosova, një shtet i pavarur, të thotë shteti amë i joni është Shqipëria.

Aq më tepër. Në të gjitha aspektet Kosova funksionon shumë herë më mirë sesa ne. Prandaj them që duhen disa arkaizma, disa gjëra të tejkalohen, të diskutojmë dhe të mendojmë për një stad tjetër të zhvillimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës...