Ancelotti konfirmon rikthimin e Neymar për ndeshjen vendimtare ndaj Skocisë
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Skocisë në raundin e fundit të Grupit C të Kupës së Botës 2026.
Sulmuesi brazilian ka lënë pas dëmtimin në pulpë që e mbajti jashtë dy ndeshjeve të para të turneut dhe është rikthyer në dispozicion të ekipit në një moment shumë të rëndësishëm.
“Neymar është i gatshëm. Ai është stërvitur mirë gjatë javës dhe është përgatitur si duhet për ndeshjen. Jemi shumë të lumtur që është rikthyer, sepse me cilësitë e tij mund të ndihmojë skuadrën”, deklaroi Ancelotti në konferencën për shtyp.
Edhe pse nuk është vendosur ende sa minuta do të luajë, mediet braziliane raportojnë se ai mund të aktivizohet për rreth 15 minuta, me synimin për të fituar ritmin e ndeshjeve para fazës eliminatore.
Ndeshja e fundit e Neymar me Brazilin daton më 17 tetor 2023, në humbjen 2-0 ndaj Uruguait në eliminatoret e Kupës së Botës. Në atë takim ai pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentin e kryqëzuar dhe meniskun e gjurit të majtë, që e mbajti larg fushave për një periudhë të gjatë.
Ancelotti vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e sulmuesit gjatë rikuperimit, duke theksuar se përvoja e tij është e vlefshme edhe jashtë fushës.
Brazili përballet me Skocinë këtë të mërkurë, ndërsa synon fitoren që do t'i siguronte vendin e parë në grup.