Bosnjë Hercegovina dhe Katari luajnë gjithçka për gjithçka, humbësi i thotë lamtumirë Botërorit
Përballja mes Bosnjë Hercegovinës dhe Katarit (ora 21:00) në Seattle pritet të jetë vendimtare për fatin e të dyja skuadrave në Grupin B të Kupës së Botës 2026.
Të dy ekipet hynë në raundin e tretë me vetëm një objektiv: fitoren, pasi çdo rezultat tjetër do t'i eliminonte nga gara.
Bosnja vjen pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Zvicrës, rezultat që i ka komplikuar ndjeshëm shanset për kualifikim.
Edhe pse teorikisht mund të arrijë vendin e dytë, asaj i duhet jo vetëm të fitojë bindshëm ndaj Katarit, por edhe të shpresojë në një humbje të thellë të Kanadasë në ndeshjen tjetër të grupit.
Situata është pothuajse identike për Katarin. Kampionët e Azisë u shkatërruan 6-0 nga Kanadaja në ndeshjen e fundit, ku gjithashtu mbetën me dy lojtarë më pak pas dy kartonëve të kuq. Katari ka shënuar vetëm tri gola në tetë ndeshjet e fundit ndërkombëtare dhe nuk ka arritur të fitojë asnjërën prej tyre.
Statistikat tregojnë një duel të ekuilibruar, ndërsa Katari ka një avantazh minimal në përballjet direkte.
Megjithatë, presioni i madh dhe nevoja për fitore mund ta kthejnë këtë sfidë në një nga ndeshjet më interesante të mbrëmjes, me të dyja skuadrat që do të luftojnë deri në fund për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.