FIFA bën gati revolucionin e penalltive, pritet vendimi para fazës eliminatore të Botërorit
FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në rregulloren e gjuajtjeve të penalltive, pak para nisjes së fazës eliminatore të Kupës së Botës 2026.
Sipas raportimeve të fundit, organi më i lartë i futbollit synon të reduktojë avantazhin që aktualisht gëzon skuadra që fiton hedhjen e monedhës.
Me rregullin e ri të propozuar, ekipi që fiton shortin nuk do të ketë më mundësinë të zgjedhë automatikisht nëse do të gjuajë i pari.
Në vend të kësaj, ai do të duhet të vendosë mes dy alternativave: të ekzekutojë penalltinë e parë ose të zgjedhë portën ku do të zhvillohet seria e gjuajtjeve.
Ky propozim vjen pas analizave që kanë treguar se skuadrat që nisin të parat penalltitë kanë pasur shpesh një avantazh psikologjik ndaj kundërshtarëve.
FIFA beson se ndryshimi mund të krijojë kushte më të barabarta dhe të rrisë drejtësinë në momentet më vendimtare të ndeshjeve.
Vendimi përfundimtar pritet të merret përpara fillimit të raundeve me eliminim direkt të Botërorit.
Nëse miratohet, rregulli i ri mund të ndikojë ndjeshëm në strategjinë e ekipeve dhe të sjellë një kapitull të ri në historinë e penalltive në futbollin ndërkombëtar.