Ronaldo u përgjigjet kritikëve: Prej 23 vitesh reagoj në të njëjtën mënyrë

Portugalia mori një fitore të rëndësishme ndaj Uzbekistanit në Kupën e Botës 2026, ndërsa protagonisti kryesor ishte edhe një herë Cristiano Ronaldo, i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi ekipin drejt suksesit.

Pas ndeshjes, sulmuesi portugez foli për paraqitjen e tij dhe për mënyrën se si i përballon kritikat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

“Prej 23 vitesh reagoj në këtë mënyrë ndaj kritikave. Më e rëndësishmja ishte të punonim për skuadrën dhe të kishim besim. Po punojmë mirë dhe po përmirësohemi vazhdimisht. Sa më përket mua, janë objektiva prestigjiozë për t’u arritur, por unë preferoj sukseset e ekipit. Kaluam një javë jo të lehtë, por jemi një grup lojtarësh që punon shumë mirë së bashku”, deklaroi Ronaldo.

Edhe trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, u shpreh i kënaqur me reagimin e skuadrës dhe veçanërisht me paraqitjen e kapitenit të tij.

“Sot dhamë një përgjigje të rëndësishme. Jemi këtu për t’u rritur gjatë rrugëtimit në këtë turne. Yjet e ekipit u zhbllokuan dhe jam shumë i lumtur për rezultatin. Lëvizjet e Ronaldos brenda zonës janë më të mirat që mund të shohësh. Ishte vetëm çështje kohe që ai të rikthehej te golat”, tha Martínez.

Dopieta e Ronaldos i dha Portugalisë tri pikë të vlefshme dhe një shtysë të madhe morale në vazhdimin e Botërorit, duke treguar se veterani portugez vazhdon të jetë vendimtar edhe në moshën 41-vjeçare.