Tragjedi në Francë, ndërron jetë në moshën 21-vjeçare futbollisti i Guingamp-it

Një lajm tragjik ka tronditur futbollin francez. Kenzo Kies, sulmues 21-vjeçar i skuadrës B të klubit francez En Avant Guingamp, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në ujërat e lumit Rodan.

Sipas mediave franceze, ajo që duhej të ishte një ditë argëtimi me miqtë u kthye në një dramë. Futbollisti dhe dy persona të tjerë që ndodheshin me të u morën nga rrymat e forta të lumit dhe nuk arritën të dilnin në sipërfaqe.

Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë dhe arritën të nxirrnin nga uji dy të rinjtë e tjerë, të cilët u reanimuan me sukses. Gjendja e Kies ishte shumë më e rëndë. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan më pas vdekjen cerebrale. Pavarësisht mbështetjes artificiale të funksioneve jetësore, aktiviteti i trurit ishte ndërprerë në mënyrë të pakthyeshme.

Autoritetet franceze po hetojnë ende rrethanat e sakta të ngjarjes. Hetimet do të përcaktojnë nëse shkaku i mbytjes ishin vetëm rrymat e fuqishme të Rodanit apo nëse futbollisti kishte pësuar një problem shëndetësor përpara se të përfundonte në vështirësi.

Kjo tragjedi vjen në një fundjavë të rëndë për Francën, ku disa persona kanë humbur jetën në incidente mbytjeje në zona ujore pa mbikëqyrje. Bota e futbollit francez është bashkuar në dhimbje pranë familjes së Kenzo Kies dhe klubit të Guingamp-it.