Infantino konfirmon: Trump do të jetë në finalen e Botërorit 2026 dhe do të dorëzojë trofeun
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës 2026 dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së trofeut për fituesin e turneut.
Në një intervistë për Fox, Infantino zbuloi se do të jetë krah Trumpit në ndeshjen më të rëndësishme të kompeticionit.
“Do të jemi së bashku për të shijuar finalen dhe për t’i dorëzuar trofeun skuadrës fituese”, deklaroi kreu i FIFA-s.
Kur u pyet nëse ceremonia e ndarjes së trofeut do të kryhej së bashku me presidentin amerikan, Infantino u përgjigj shkurt: “Sigurisht”.
Nuk është hera e parë që Trump merr pjesë në një event të madh futbollistik të organizuar nga FIFA. Vitin e kaluar ai ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Botës për Klube mes Chelsea-t dhe Paris Saint-Germain në ‘MetLife Stadium’. Gjatë ceremonisë së asaj finale, presidenti amerikan u prit me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve kur u ngjit në podium.
Finalja e Botërorit 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në botë, ndërsa prania e Trumpit në ceremoninë e dorëzimit të trofeut shton edhe më shumë interesin rreth eventit. FIFA dhe autoritetet amerikane po bashkëpunojnë ngushtë për organizimin e turneut, i cili po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.