Aksidentimi i policit italian/ Rrëfehet shqiptari: Kisha hashash me vete dhe s’ndalova, kërkoj...

Një nga dy shqiptarët e arrestuar ka rrëfyer për autoritetet italiane se nuk i ëhstë bindur urdhrit të patrullës për të ndaluar, duke u bërë shkak për aksidentimin për vdekje të një oficeri të trafikut, pavarësisht urdhrit nga karabinierët.

Gjatë dëshmisë së tij, 27-vjeçari i identifikuar me inicialet, B. G, tashmë i arrestuar i ka kërkuar falje familjes së oficerit të trafikut dhe Italisë.

"Nuk u ndala në pikën e kontrollit. Kisha disa gramë hashash dhe nuk doja të kisha probleme. Bëra një gabim dhe kërkoj ndjesë. Nëse mund të bëj diçka për familjen e tij, do ta bëj." 

B. G, 27-vjeçari shqiptar i arrestuar, i kërkoi falje shtetit italian dhe familjes së viktimës gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari. I riu thuhet se shprehu keqardhjen e tij dhe madje pyeti "nëse kishte diçka që mund të bënte" për familjen Imprezzabile. Pasi mësoi për vdekjen e oficerit, B. G, i ndihmuar nga avokati i tij Fabrizio Cardinali, po mendonte të dorëzohej vetë, raportojnë mediat italiane.

Komandanti i Policisë Lokale të Milanos, Gianluca Mirabelli, konfirmoi se dy të rinjtë me shtetësi shqiptare janë lokalizuar dhe ndaluar në zonën e Monzës. Fillimisht ata janë ndaluar për identifikim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e tyre në ngjarje.

Autoritetet italiane po verifikojnë gjithashtu nëse personat e ndaluar kanë precedentë penalë. Burime nga hetimi bëjnë të ditur se ekzistojnë indicie se të paktën dy persona ndodheshin në automjetin që u largua nga kontrolli policor.

Prokuroria e Milanos po përgatitet të hapë një procedim penal për veprat e dyshuara të vrasjes rrugore dhe arratisjes së rrezikshme. Ndërkohë, SUV-i i përfshirë në ngjarje është sekuestruar dhe po i nënshtrohet ekspertizave teknike.

Hetimet paraprake kanë përjashtuar, për momentin, një përplasje të drejtpërdrejtë mes automjetit të të dyshuarve dhe motoçikletës së policit. Megjithatë, prokurorët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes.

Vdekja e agjentit Francesco Imprezzabile ka shkaktuar reagime të shumta në Itali. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, dhe kryeministrja Giorgia Meloni kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e viktimës dhe kanë vlerësuar shërbimin e tij në mbrojtje të sigurisë publike.

Në këtë fazë, autoritetet italiane kanë konfirmuar vetëm ndalimin e dy shtetasve shqiptarë. Përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga hetimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë.