Protesta kundër qeverisë/ Në Korçë e Gjirokastër kërkohet dorëheqja e Edi Ramës
Teksa në kryeqytet qytetarët janë mbledhur në protestën e 24-të masive, edhe nëpër rrethe të shumtë kanë qenë qytetarët, të cilët janë bërë një në kauzën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në Korçë, qytetarët janë mbledhur në sheshin kryesor për t’u solidarizuar me Tiranën, në protestat masive kundër qeverisë.
Disa prej protestuesve kanë kërkuar shpalljen ‘Park Kombëtar’ të Bozdovecit, si forma e vetme e mbrojtjes së resursit natyror.
Edhe në Gjirokastë, qytetarët u janë bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, teksa përmes pankartave ata tregojnë realitetin e dhimbshëm që jetojnë, atë të një ‘Qeveri e korruptuar’.
Qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Rama.
Protesta në Tiranë konsiderohet si kulmi i mobilizimit qytetar, pas mbi tri javësh demonstrata të pandërprera.
Revolta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi.
Pjesëmarrja e diasporës është një tregues se pakënaqësia ndaj qeverisë, nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë.