Ndryshohen rregullat për Iranin në Botëror, skuadra do të mbërrijë më herët në Seattle

Autoritetet amerikane kanë vendosur të ndryshojnë udhëzimet e sigurisë për kombëtaren e Iranit në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Egjiptit në Kupën e Botës 2026.

Sipas raportimeve të NBC, Departamenti Amerikan për Sigurinë Kombëtare ka miratuar një përjashtim të veçantë që do t’i lejojë përfaqësueses iraniane të mbërrijë në Seattle dy ditë para ndeshjes së planifikuar për më 26 qershor. Ky ndryshim i jep ekipit 24 orë më shumë përgatitje krahasuar me rregullat që ishin në fuqi deri tani.

Megjithatë, autoritetet kanë konfirmuar se skuadra iraniane do të duhet të largohet menjëherë pas përfundimit të ndeshjes dhe të rikthehet në Tijuana të Meksikës, ku ka qenë e vendosur gjatë turneut.

“Për ndeshjen e 26 qershorit në Seattle, ekipi iranian do të lejohet të mbërrijë dy ditë para takimit. Ai do të duhet të largohet po atë ditë, në mbrëmje pas ndeshjes”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit për Sigurinë Kombëtare.

Sipas autoriteteve amerikane, vendimi është marrë kryesisht për arsye logjistike dhe sigurie. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dëshiron që vëmendja të mbetet te ajo që ndodh në fushë dhe jo jashtë saj.

“Një pjesë e madhe e këtij angazhimi ka të bëjë me garantimin e sigurisë, jo vetëm në stadiume, por edhe në qendrat stërvitore”, shtoi zëdhënësi.

Ndryshimi u bë i nevojshëm për shkak të distancës së madhe mes Tijuana-s dhe Seattle-it. Ndërsa Los Anxhelosi, ku Irani zhvilloi dy ndeshjet e para të grupit, ndodhet vetëm rreth 45 minuta fluturim larg Tijuana-s, udhëtimi drejt Seattle-it zgjat afërsisht tri orë.

Përballja mes Iranit dhe Egjiptit konsiderohet vendimtare për fatin e të dyja skuadrave në grup, ndërsa autoritetet amerikane po marrin masa shtesë për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e këtij takimi.