Ronaldo shkruan historinë me një rekord absolut në Botëror, parakalon edhe Eusébion
Cristiano Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde edhe në moshën 41-vjeçare. Sulmuesi dhe kapiteni i Portugalisë shkroi një tjetër faqe të artë në historinë e futbollit, duke shënuar në ndeshjen ndaj Uzbekistanit dy gola dhe tejkaluar legjendën Eusébio në krye të listës së golashënuesve portugezë në Kupat e Botës me 10 gola.
Ronaldo i nevojiti vetëm gjashtë minuta lojë për të gjetur rrugën e rrjetës dhe për t’i dhënë epërsinë Portugalisë, në fund të pjesës së parë realizoi të dytin personal. Me këta gola, ai arriti në kuotën e 10 golave në historinë e Botërorëve, një më shumë se Eusébio, i cili këtë shifër (9) e kishte realizuar vetëm në edicionin e vitit 1966.
Megjithatë, ylli portugez ka një tjetër rekord që e veçon nga të gjithë futbollistët e tjerë. Ai është bërë lojtari i parë në histori që shënon gol në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës.
Ronaldo ka gjetur rrugën e rrjetës në Botërorët e viteve 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe tani edhe në vitin 2026, duke vendosur një rekord të ri që vështirë se do të thyhet në të ardhmen e afërt.
Edhe Lionel Mesi ka marrë pjesë në gjashtë Botërorë, por argjentinasi nuk arriti të shënonte në edicionin e vitit 2010, duke e lënë Ronaldon të vetëm në krye të këtij rekordi historik.