Tesla nënshkruan marrëveshje për sisteme ruajtjeje baterish në Evropë

Tesla dhe zhvilluesi britanik i infrastrukturës energjetike NatPower kanë nënshkruar një marrëveshje për zhvillimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) në të gjithë Evropën.

Kompanitë kanë nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare që mbulon më shumë se 25 GWh kapacitet BESS, bënë të ditur ato të martën.

Projektet, të vendosura në Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, do të jenë në pronësi dhe do të operohen nga NatPower. Tesla tha se do të furnizojë sistemet e saj të ruajtjes së baterive Megapack dhe do të ofrojë shërbime të inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit (EPC), së bashku me optimizimin e tregtimit të energjisë përmes platformës së saj Autobidder.

Marrëveshja përfshin fillimisht pesë projekte dhe është pjesë e një programi më të gjerë që synon më shumë se 100 GWh kapacitet ruajtjeje.

Vlera totale e ndërtimit për të gjithë programin vlerësohet në 4 deri në 5 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat e parashikuara tejkalojnë 15 miliardë dollarë gjatë 20 viteve.

Kompanitë thanë se asetet e ruajtjes do të ndihmojnë në stabilizimin e rrjeteve elektrike, përmirësimin e integrimit të energjisë së rinovueshme dhe mbështetjen e rritjes së kërkesës për energji elektrike nga qendrat e të dhënave dhe përdoruesit industrialë./ DPA News