VIDEO/ Shkrumbohet një makinë në dalje të tunelit të Elbasanit, mister shkaqet
Përfshihet nga flakët automjeti në Autostradën Tiranë Elbasan në dalje të tunelit. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka konstatuar flakët dhe ka arritur të dalë në kohë nga automjeti, duke shmangur pasoja për jetën dhe shëndetin e tij.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Zjarri është përhapur me shpejtësi, duke e përfshirë të gjithë mjetin, i cili është shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Tym i dendur është ngritur në zonë, ndërsa kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve të tjera kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll dhe fikjen e plotë të zjarrit, si dhe për shmangien e rrezikut për automjetet që qarkullojnë në këtë segment rrugor.
Për shkak të incidentit, në zonë janë krijuar përkohësisht ngadalësime të qarkullimit, ndërsa policia po menaxhon trafikun dhe po siguron perimetrin.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Dyshohet paraprakisht për një defekt teknik në automjet, por vetëm hetimet e mëtejshme do të përcaktojnë shkakun e saktë të ngjarjes.
Policia po heton për dokumentimin e plotë të rastit.