SYRI TV/ Mediat europiane jehonë protestave në Tiranë: Pakënaqësia po rritet në Shqipëri
Protestat në Shqipëri, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, janë shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit dhe qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, me kërkesa gjithnjë e më të drejtpërdrejta për dorëheqjen e tij. Protestat vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në Tiranë, ndërsa protestuesit thonë se vetëm largimi i qeverisë mund të sjellë ndryshim politik dhe institucional në vend.
Protestat që prej javësh po zhvillohen në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar artikuj të veçantë pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Gazeta italiane ‘Il Fatto Quotidiano’ dhe revista franceze ‘Le Courrier des Balkans’ raportojnë se lëvizja, e njohur si ‘Revolucioni i Flamingove’, ka evoluar në një mobilizim më të gjerë kundër korrupsionit, kostos së lartë të jetesës dhe pagave të ulëta.
Sipas artikujve, mijëra qytetarë janë mbledhur çdo mbrëmje në Tiranë, duke kërkuar ndryshime politike dhe më shumë transparencë nga institucionet. Mediat citojnë protestues të cilët shprehen të zhgënjyer nga niveli i pagave dhe pensioneve, ndërsa theksojnë se rritja e çmimeve po rëndon gjithnjë e më shumë jetën e përditshme.
Një pjesë e raportimeve i kushtohet rolit të të rinjve dhe diasporës shqiptare, të cilët, sipas vëzhguesve, po i japin energji dhe qëndrueshmëri lëvizjes. Artikujt nënvizojnë se protestat po zhvillohen kryesisht në mënyrë paqësore dhe se kërkesat e pjesëmarrësve shkojnë përtej çështjeve mjedisore, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e perspektivës evropiane të vendit.
Sipas analizave të disa mediave ndërkombëtare, protestat kanë rritur presionin politik ndaj qeverisë, ndërsa përmendet edhe vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Paris, e cila është interpretuar nga disa raportime si përpjekje për të siguruar mbështetje diplomatike. Ndërkohë, qeveria nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi këto raportime, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimeve në ditët në vazhdim.