Denoncimi që i kushtoi karrierën Dritan Goxhajt tek Aviacioni Civil! Akuzat se po favorizonte kompanitë e sanksionuara nga SHBA

Dritan Goxhaj, ish-luftëtari i UÇK-së, një ditë më parë publikoi në emër të protestuesve disa kërkesa të forta që në krye të tyre kërkonin largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore deri në realizimin e zgjedhjeve të reja.

Por fill pas daljes në skenë, Dritan Goxhaj u sulmua nga vetë Edi Rama dhe eksponentët e PS, të cilët e akuzojnë këtë të fundit si të lidhur me interesat e Iranit.

Por kush është Dritan Goxhaj?  Veç angazhimit si ish-luftëtar i UCK-së, Dritan Goxhaj prej disa kohësh ka qenë inspektor në Autoritetin e Aviacionit Civil. Por, botimi i shkrimit me titull “Aviacioni civil si bahçe private” në 20 shtator 2017, për sigurinë në aeroportin e Rinasit, bëri që Goxhaj të pushohej nga puna nga Belinda Balluku me motivacionin: “mungesë etike”.

Sipas një shkrimi të publikuar në Dritare.net, Dritan Goxaj duhej të merrte leje prej drejtoreshës dhe drejtorëve të tjerë të AAC, për të botuar shkrimin.

Dritan Goxhaj e ka çuar çështjen në Gjykatën Administrative asokohe. Dritan Goxhaj ka kryer shkollën për teknik avioni në Turqi dhe më pas shkollën për pilot avioni luftarak në Vlorë. Ku ka kryer edhe specializimin disa mujor për fluturime në Greqi.

Shkrimi i mëposhtëm është një denoncim të cilin Dritan Goxhaj. Ai akuzon Autoritetin e Aviacionit Civil për trafik avionësh korrupsion dhe ndihmë për terrorizmin.

NGA DRITAN GOXHAJ

Në vitin 1990, pothuajse 27 vjet më parë, shqiptarët e nisën rrugëtimin e tyre për daljen nga një diktaturë me një slogan tepër ambicioz: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Sot, pas 27 vitesh, ky slogan është lakuar aq shumë në gjuhën shqipe sa tashmë duhet të përdoret vetëm në kohën e shkuar, “E deshëm Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Gjatë gjithë këtyre viteve, një pjesë u përpoqën ta bëjnë Shqipërinë si Evropa, një pjesë tjetër e arritën Evropën me skaf e me këmbë, ndërsa pjesa e mbetur vazhdon ta shohë Evropën si një destinacion të paarritshëm, qoftë edhe si vizitor, e jo më ta imagjinojë shndërrimin e Shqipërisë si Evropa.

Ndërsa së fundi, disa nëpunës shtetërorë me pozita të rëndësishme, kanë menduar që tashmë rruga e re për Evropë duhet t’i bjerë, jo duke shtuar numrin e trupave tona në kuadër të NATO-s, por duke u krijuar mundësi kompanive që ndihmojnë e financojnë terrorizmin, të ngrenë këtu te ne kompanitë e tyre.

Këtë detyrë, sa të vështirë edhe “fisnike”, e ka marrë përsipër ta kryejë Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë me kokë të vet, pa pyetur as Kryeministrin e vendit. Përkatësisht këtë detyrë janë duke e kryer deri më tani me sukses Drejtoresha në ikje e këtij Autoriteti, Lilika Radovicka, drejtori i Drejtorisë së Licencimit të Operatorëve Ajrorë në këtë Autoritet, Altin Vrapi, shefi i Sektorit Teknik në këtë drejtori, Pëllumb Hoxha, ku koordinatori i gjithë kësaj zallamahie është kryetari i Bordit të Aviacionit Civil, Petrit Sula, ose si njihet ndryshe me pseudonimin “Leshko”.

Por si po ndodh e gjithë kjo?

Në Autoritetin e Aviacionit Civil ka bërë kërkesë për licencim një kompani e re ajrore me emrin Albanian Airëays, e cila është pasuese e Albanian Airlines. Kjo kompani është ngritur nga Konsulli i Nderit të Sirisë në Shqipëri, një refugjat sirian me emrin Jahja Farwati.

Po çudi, do thoni ju, si ka mundësi që Shqipëria është në koalicionin e përbashkët perëndimor me në krye SHBA-në kundër regjimit gjakatar të Bashar Al Asadit në Siri dhe, nga ana tjetër, pranon konsull nderi të këtij regjimi?!

Epo kjo është Shqipëria e paradokseve. Gjithsesi, ky zotëria ka paraqitur letrat në Autoritet dhe, për të hapur kompaninë, ka sjellë edhe një avion, të cilin e ka regjistruar në Regjistrin Aeronautik të Shqipërisë, me shenjë regjistri ZA-ABB. Deri këtu gjithçka në rregull, do të thoshte gjithkush. Por problemi qëndron pikërisht tek ky avion.

Kompania e ka paraqitur këtë avion sikur e ka marrë me qira diku nga një kompani në Qipro. Ky avion pretendohet të ketë mbërritur në Rinas në 15 shtator të këtij viti nga Ukraina, me regjistrin SX-ABX, i tipit A320-212 me MSN 427 (MSN është numri identifikues i prodhimit të avionit, pothuajse i ngjashëm me numrin e shasisë së makinës).

Çdo personi i cili mund të përdorë internetin dhe të shkruajë në të, të dhënat e mësipërme të këtij avioni, pra tipin dhe MSN, do i rezultojë se ky avion është pronë e një kompanie greke Olympus Airline dhe mban regjistër grek SX-ABX. Ky avion është marrë me qira nga një kompani ukrainase, përkatësisht Dart Airlines. Kjo kompani ukrainase është në listën e kompanive të ndaluara nga Departamenti i Shtetit Amerikan, me Urdhër Ekzekutiv E.O  13224 (OFAC also designated  Dart Airlines pursuant to the global terrorism E.O. 13224 for aiding designated Iranian and Iraqi airlines through the provision of aircraft and services). Pra, një kompani e cilësuar si mbështetëse e terrorizmit global. Këtu fillon edhe mashtrimi, i cili është mashtrim brenda mashtrimit.

Faktikisht, avioni A320-212 me MSN 427 nuk ka ardhur asnjëherë në Rinas. Ky avion ndodhet në hangarët e kompanisë ukrainase të lartpërmendur, në Kiev. Këtu, përfaqësuesit e Albanian Airëays në bashkëpunim me zyrtarët e autoritetit dhe kompaninë Dart Airlines, kanë sjellë në Rinas një avion tjetër identik me avionin që deklarojnë, e ky avion është i tipit A320-212, por me MSN 409 dhe është pronë e kompanisë ukrainase. Kështu, zyrtarët e lartpërmendur të Autoritetit të Aviacionit kanë kryer regjistrimin e këtij mjeti në kundërshtim me çdo ligj e rregull të Republikës, duke kryer njëkohësisht disa shkelje shumë të rënda:

Trafik të mjeteve motorike

Kjo, për arsye sepse për të regjistruar një mjet motorik ajror procedohet njësoj si me një makinë. Që ta regjistrosh në Shqipëri duhet më parë ta çregjistrosh në vendin që është i regjistruar. Pra, praktikisht, avioni përpara se të regjistrohej nga këta persona këtu duhet të ishte çregjistruar nga regjistri grek. Por kjo nuk ka ndodhur dhe avioni vazhdon të jetë në regjistrin grek. Ashtu si me makinat që vjedhin në Evropë dhe i regjistrojnë këtu pa dokumente, ashtu është vepruar edhe me këtë avion.

Falsifikim dokumentesh

Për regjistrimin e këtij avioni këtu, nga sa më lart, kuptohet që janë përdorur dokumente të falsifikuara, pasi ato origjinalet ndodhen në Autoritetin grek.

Shkelje e kodit doganor

Ashtu si edhe çdo makinë, që të regjistrohet në Shqipëri, duhet t’i paguhet dogana më parë, edhe për avionët vepron i njëjti ligj. Por ky avion është regjistruar nga këta zyrtarë pa paguar asnjë lloj dogane në Shqipëri.

Mashtrim

Kanë sjellë tjetër avion nga ai që kanë deklaruar, pra në vend të avionit me MSN 427 kanë sjellë Avionin me MSN 409.

Dhe ajo çka është edhe më e rënda, me regjistrimin e këtij mjeti, personat e lartpërmendur me vetëdije të plotë kanë kryer shkeljen e Nenit 230/b të Kodit Penal për ‘Fshehjen e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin’.

Marrja e këtij avioni me qira nga një kompani që është në listën e Amerikës për mbështetje të terrorizmit global, përbën në vetvete financim të terrorizmit dhe regjistrimi i pasurisë së tyre përbën fshehje të pasurive sipas këtij neni dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin nr.157/2013 “Për Masat kundër financimit të terrorizmit” ku në Nenin 7 të këtij ligji thuhet: ‘Organet përgjegjëse për zbatimin e masave kundër financimit të terrorizmit pika 1. Organet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e masave të marra, të parashikuara në këtë ligj, janë: c) ministritë apo autoritetet përkatëse, për institucionet në vartësi dhe për subjektet që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin, që mbajnë ose administrojnë regjistra të fondeve dhe pasurive të tjera.

Le të shpresojmë se autoritetet shqiptare do të reagojnë në kohë dhe nuk do të lejojnë largimin e avionit nga Rinasi, pasi ky avion përbën provën kryesore të gjithë këtij operacioni mashtrimi, si dhe përbën provën kryesore të kallëzimit penal të bërë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për rastin në fjalë.

Por zyrtarët e lartpërmendur të këtij Autoriteti, të nisur nga përfitimi personal, nuk janë ndalur këtu.

Ata kanë miratuar për drejtues ekzekutiv të kësaj kompanie, të këtij Konsullit të Nderit, një pilot sirian, përkatësisht shtetasin sirian Mousa Boutros, i cili për 4 vitet e kaluara ka punuar si pilot për kompaninë shtetërore siriane, Sirian Air (Sirian Arab Air).

Edhe kjo kompani, ashtu si ajo ukrainase, është shpallur në vitin 2013 nga Amerika si kompani që mbështet terrorizmin dhe, ashtu si edhe asaj ukrainase, i është bllokuar çdo fond dhe aset që ka në botën perëndimore dhe veçanërisht në shtetet anëtare të NATO-s.

Dhe ky person, i cili është miratuar si drejtues i kompanisë ajrore të konsullit të nderit të Sirisë në Shqipëri, për 4 vjet e ka shkelur këtë embargo duke ndihmuar në transportimin e armëve, municioneve dhe organizatave terroriste si Hezbullah nëpër Siri e aleatët e saj.

Edhe në këtë rast, zyrtarët e zellshëm të Aviacionit Civil Shqiptar kanë shkelur me këmbë e me duar nenin 7 të ligjit për financimin e terrorizmit, pasi u takonte atyre të verifikonin çdo person dhe aset të kompanisë.

Ata e kanë bërë këtë verifikim, por pastaj kanë vendosur unanimisht që të procedojnë me falsifikimin, mashtrimin dhe regjistrimin e kompanisë, aseteve dhe personelit të saj në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

Me të tillë zyrtarë është pothuajse e sigurt se shumë shpejt do e bëjmë atdheun si Afganistani ku, përveç drogës, lulëzojnë edhe kompanitë që financojnë terrorizmin. Me veprimet e mësipërme, jo vetëm që është cenuar rëndë siguria kombëtare e Shqipërisë, pasi këtu SHIK-u është duke bërë gjumin letargjik e, ndoshta, nga vera zgjohet, por edhe reputacioni i Shqipërisë si anëtare e NATO-s, si edhe siguria e vetë NATO-s.

Ndërsa amerikanët në Shqipëri, të cilëve u janë cenuar direkt interesat, janë të zënë me Vettingun e nuk kanë pasur kohë të merren me interesat e shtetit të tyre.

Me të tillë zyrtarë Shqipëria po hyn në një tunel të cilit i duket vetëm hyrja, por që nuk ka dalje. E gjithë sa më lart shpjegon më së miri egon dhe vetëdijen e kësaj klase politike që emëron zyrtarë të tillë vetëm me qëllimin për t’u pasuruar në çdo mënyrë e çdo rrugë.

Kjo tregon se në këtë Shqipërinë tonë gjërat nuk janë aq keq sa duken, por shumë herë më keq, ndaj nuk duhet të çuditemi e të themi se ku do shkojmë kështu, pasi, nganjëherë, kur nuk ke ku shkon, kalbesh aty brenda.