Ronaldinho firmos me Ravenna-n, prezantimi bëhet sonte në Miami
Ravenna ka bërë një nga lëvizjet më të bujshme në historinë e saj, duke zyrtarizuar afrimin e legjendës braziliane Ronaldinho për sezonin 2026-27. Klubi italian ka konfirmuar se prezantimi zyrtar do të zhvillohet sonte, në Miami, në një event ekskluziv në “Cipriani”, ku do të marrin pjesë të ftuar të përzgjedhur.
Sipas klubit, ceremonia do të përfshijë një darkë VIP me rreth 70 të ftuar dhe një after-party me rreth 250 pjesëmarrës. Në të njëjtin event do të prezantohet edhe projekti i ri ndërkombëtar i Ravenna FC by Cipriani, i cili synon ta kthejë klubin në një model modern që bashkon futbollin, kulturën dhe kreativitetin.
“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të kthehem të luaj me topin dhe të shkruaj një histori të re së bashku me familjen Cipriani. Për mua futbolli ka qenë gjithmonë gëzim dhe jam i lumtur ta sjell këtë frymë në Ravenna. Le të nisë magjia!”, ka deklaruar Ronaldinho.
Projekti i ri i klubit drejtohet nga Ignazio Cipriani në bashkëpunim me Black Duck, me synimin për ta shndërruar Ravenna-n në një klub me dimension ndërkombëtar. Në strukturë është përfshirë edhe Ariedo Braida, figurë e njohur e futbollit italian.
Braida ka mirëpritur afrimin e brazilianit, duke u shprehur: “Të kesh sërish në skuadër një kampion si Ronaldinho më jep shumë gëzim. Kampionët nuk kanë moshë.”
Gjatë mbrëmjes do të prezantohet edhe fanella e re zyrtare e Ravenna FC për sezonin e ardhshëm, e dizajnuar nën drejtimin artistik të Giorgio Mallones. Fanella synon të ndërthurë trashëgiminë historike të Ravenës me një stil modern me karakter global dhe do të përdoret edhe nga Ronaldinho në paraqitjet e tij me klubin.
Klubi ka konfirmuar gjithashtu një marrëveshje teknike katërvjeçare me Nike, duke forcuar ambiciet e tij ndërkombëtare.
Presidenti Ignazio Cipriani e ka cilësuar afrimin e Ronaldinhos si një moment të jashtëzakonshëm për klubin, duke theksuar se ish-idhulli i tij i fëmijërisë do të ndihmojë në frymëzimin e një brezi të ri tifozësh.
Në aspektin sportiv, synimi i klubit është që Ronaldinho të shënojë një nga golat e fundit të karrierës së tij pikërisht me fanellën e Ravenna-s.
Eventi do të shoqërohet edhe me një nismë bamirësie në bashkëpunim me Street Soccer USA, si dhe me krijime artistike të veçanta të realizuara për fanellën e re.
Me këtë projekt, Ravenna FC synon të hyjë në një epokë të re ku futbolli bashkohet me artin dhe kulturën në një platformë ndërkombëtare.