Komentatori paraguajan përjashtohet nga Botërori pas fyerjeve ndaj FIFA-s
Një incident i pazakontë ka shkaktuar debat të madh gjatë Kupës së Botës 2026, pasi komentatori paraguajan, Jorge Vera, u përjashtua nga turneu dhe humbi akreditimin e tij zyrtar pas komenteve fyese ndaj FIFA-s gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes mes Paraguait dhe Turqisë, e zhvilluar të shtunën e kaluar, ku Paraguai triumfoi me rezultatin 1-0. Gjatë transmetimit, Vera sulmoi ashpër arbitrin dhe drejtues të FIFA-s, duke përdorur komente që organizata i cilësoi si “sulme personale të përsëritura dhe deklarata përçmuese” ndaj zyrtarëve të saj.
Si pasojë, FIFA vendosi t’i revokojë përfundimisht akreditimin gazetarit për pjesën e mbetur të Botërorit, duke e larguar nga mbulimi i kompeticionit.
Polemika nisi pas përjashtimit me karton të kuq të sulmuesit paraguajan, Miguel Almirón. Futbollisti u ndëshkua pasi mbuloi gojën gjatë një bisede me një kundërshtar në fushë. Ky ishte rasti i parë i zbatimit të të ashtuquajturit “Ligji Prestianni/Vinícius” në një Kupë Bote, një rregullore që synon të luftojë fyerjet diskriminuese në futboll dhe që parashikon ndëshkime për lojtarët që fshehin gojën kur komunikojnë me kundërshtarët ose arbitrat.
Megjithëse Jorge Vera e pranoi gabimin dhe publikoi një kërkim faljeje në rrjetet sociale, FIFA vendosi të mos e ndryshojë masën disiplinore. Edhe televizioni ABC, për të cilin punon komentatori, konfirmoi largimin e tij nga Botërori, por e cilësoi vendimin si “ekstrem dhe joproporcional”, duke theksuar se gazetari kërkoi falje menjëherë pas incidentit.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Paraguai. Sindikata e Gazetarëve të Paraguait (SPP) e cilësoi vendimin e FIFA-s si një “censurë të turpshme”, duke paralajmëruar se krijon një precedent të rrezikshëm kundër lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të ushtruar profesionin. Ndërkohë, Rrethi i Gazetarëve Sportivë të Paraguait ka kërkuar rishikimin e dënimit dhe rikthimin e akreditimit të Veras.