Zyrtare/ Gennaro Gattuso emërohet trajner i Lazios
Lazio ka zyrtarizuar emërimin e Gennaro Gattusos në postin e trajnerit të ekipit të parë. Pas disa ditësh pritje dhe spekulime, klubi bardhekaltër publikoi komunikatën zyrtare, duke konfirmuar ardhjen e teknikut italian në stolin e skuadrës nga Roma.
Gattuso vjen te Lazio pas përvojës së fundit si përzgjedhës i kombëtares italiane, një aventurë që përfundoi me zhgënjim, pasi Italia nuk arriti të kualifikohej në fazën finale të Kupës së Botës 2026, duke u eliminuar nga Bosnjë Hercegovina.
Në komunikatën e publikuar nga klubi thuhet:
"S.S. Lazio S.p.A. njofton se i ka besuar detyrën e trajnerit të ekipit të parë zotit Gennaro Gattuso. Shoqëria e mirëpret me kënaqësi trajnerin e ri, me bindjen se përvoja, profesionalizmi dhe vendosmëria e tij do të kontribuojnë në arritjen e objektivave sportive të klubit."
Për 48-vjeçarin nga Corigliano Calabro, kjo është skuadra e njëmbëdhjetë e ndryshme që drejton gjatë karrierës së tij si trajner. Ai e nisi rrugëtimin te Sioni si trajner-lojtar, ndërsa më pas drejtoi Palermon, OFI Kretën, Pizën, Milanin (duke përfshirë edhe ekipin Primavera për një periudhë të shkurtër), Napolin, Valencian, Olympique Marseille, Hajdukun e Splitit dhe kombëtaren italiane.
Tani Gattuso nis një kapitull të ri te Lazio, ku drejtuesit e klubit shpresojnë se karakteri i tij luftarak dhe përvoja e grumbulluar ndër vite do ta ndihmojnë skuadrën të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit italian dhe evropian.