Barcelona blen përfundimisht talentin 18-vjeçar egjiptian
Barcelona ka zyrtarizuar blerjen përfundimtare të sulmuesit të ri egjiptian, Hamza Abdelkarim. Klubi katalanas ka aktivizuar opsionin e blerjes për 18-vjeçarin, i cili ishte transferuar në huazim nga klubi egjiptian Al Ahly gjatë merkatos së dimrit.
Paraqitjet e shkëlqyera të Abdelkarim me ekipin ‘blaugrana’ e bindën drejtuesit e Barcelonës që ta mbajnë në skuadër, duke i ofruar një kontratë trevjeçare që do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029.
Talenti egjiptian ka bërë një debutim shumë premtues në Spanjë, duke fituar edhe një vend në përfaqësuesen e Egjiptit për Kupën e Botës 2026. Ai ka luajtur si titullar në ndeshjet e “Faraonëve” kundër Belgjikës dhe Zelandës së Re, duke konfirmuar potencialin e tij të madh.
Sipas medieve katalanase, Barcelona ka paguar rreth 1.5 milion euro për kartonin e sulmuesit. Trajneri Hansi Flick pritet ta përfshijë Abdelkarimin në fazën përgatitore verore, ku lojtari do të ketë mundësinë të bindë stafin teknik për një vend në ekipin e parë.
Ndërkohë, katalanasit po vazhdojnë të forcojnë repartin ofensiv. Me largimin e mundshëm të Robert Lewandowski-t, Barcelona ka siguruar edhe shërbimet e anësorit britanik Anthony Gordon, 25 vjeç, i ardhur nga Newcastle për shumën e 80 milionë eurove.
Klubi katalanas e sheh Abdelkarimin si një investim për të ardhmen, ndërsa paraqitjet e tij në Botërorin 2026 mund ta ndihmojnë të fitojë edhe më shumë hapësira në skuadrën e parë të Barcelonës.