Unë, gjyshi im dhe viti i Skënderbeut

Sot nuk ka mbetur portal pa marrë një status timin i cili në fakt është përshtatje e një spektakli të shoumenit amerikan George Carlin i cili tallet me qënien e vet amerikane, ndërsa unë me qënien time shqiptare.

Secili nga portalet në stilin e tyre , kanë aluduar për atdheshitje, dikush për gjyshsharje e dikush tjetër si paladin të pamundësisë të jetoj në qeverinë e Edi Ramës.

Në fakt nuk është asnjëra ose me thënë më mira pak nga të gjitha.

Më kanë ardhur në majë të hundës tiradat patriotike të qeverive (e të gjitha qeverive pa përjashtim). Një herë duke folur për albanofobinë, një herë si vit i Skënderbeut e deri tek torta e pavarësisë. Asnjëra nga këto nuk më bën të jem krenar kur paraqes pasaportën time në sportelet e policive të botës; as i mahnis të tjerët me historinë time që jam shqiptar, sepse nuk dinë ku të më gjejnë në hartë; as më qasin me ndonjë personazh të shquar, pasi Nënë Terezën dhe Ferid Muratin i dinë për maqedonas.

Po, Skënderbeu është një personazh që na lidh i krijuar nga rilindasit si ngjizës i një kombi pa shumë gjëra të shkruara, por është përdorur kaq shumë nga Zogu, Hoxha, Berisha dhe së fundmi Rama duke dashur edhe t’i ngjasojnë, por që mua nuk më ndihmon fare në jetën e përditshmë.

Nuk jam aq idiot sa të besoj se jam pasardhës i ilirëve apo arbërve. Natyrisht që mendoj se kemi ca përqindje nga gjaku i tyre, por ata nuk ishin kombe dhe në një vend ku kanë kaluar me qindra pushtues stacionarë dhe ushtri kalimtare apo popullsi barbare, ashtu si në gjithë planetin fiset e rracat janë kryqëzuar, ashtu edhe këtu kemi pasur miximet e rastit.

Kam lexuar Francisko Villar, që është inioeuropeisti më i madh i kohëve tona që thotë se “shqiptarët duhet të jenë pasardhës të ilirëve pavarësisht se nuk ka asnjë fakt por llogjika të çon në këtë pikë”, por as i hyj klithmave ekzaltuese e as atyre nihiliste dhe mbi të gjitha nuk e vendos veten krahas tij si autoritet shkencor. Ashtu sikurse nuk jam aq idiot sa të besoj se populluesit e Ballkanit Perëndimor që sot quhen shqiptarë, janë ilirë 100%, apo grekët e sotëm pasardhës të helenëve.

Kam lexuar “Skënderbeun” e Aurel Plasarit por nuk i kam hyrë nën fustan mamasë së Gjergjit pasi mendoj se ai më shumë se personazh është një mit për të cilin kemi nevojë. Por nuk mendoj se jemi 100% pasardhës të arbërve. Mjafton të kujtosh zbrazjen që pësoi Arbëria pas pushtimit otoman dhe nuk ke më iluzione. Por nuk do debatoja kurrë me Plasarin. Meqë ra fjala në Shqipërinë e mesme ka shumë ngjasime me turqit e sotëm ndërsa skraparllinjtë dhe mallakastriotët ngjanë më shumë me bullgarë sesa me mua që kam origjinën ngjitur me ta. E megjithatë janë shqiptarë.

Nuk mendoj që jetoj në vendin më të bukur në botë. Përtkundrazi, duke qenë ndër kombet e fundit të krijuara në Evropë, na lanë tokat më të ashpra ose të pashëndetshme. Tjetër pastaj që më vonë i kemi urbanizuar dhe bonifikuar. Mjaft të mendosh që ultësira perëndimore ka qenë kënetë, e kupton çfarë shëmtie ka qenë ky vend para 100 vjetësh.

Jam aq i kënduar sa të di që kombi është një nocion i 300 vjetëve të fundit, i krijuar pikërisht për të garantuar territorin, ekonominë dhe jetën e një grupi njerëzish. Herë është ngjizës ngjyra, herë gjuha e herë territori e shumë e shumë faktorë të tjerë.

Është një nocion i kohëve moderne pikërisht për të siguruar kohezionin e shoqërive dhe mirëqënien e tyre, pa përjashtuar se ata që e krijojnë janë një grup filozofësh, ushtarakësh dhe pasanikësh që më shumë e bëjnë për interesin e tyre. Këtë bënë edhe rilindasit tanë. Respekt për ta.

Nejse është një teori e gjatë të cilën nuk mund ta shtjellojë një njeri sado ekspert dhe erudit të jetë, jo më unë që ndihem modest. Ajo që ka rëndësi tek ne, përpara se t’i futemi mitizimeve apo historive me shqiptarizëm, është të sigurohet mirëqenia për këta njerëz që quhen shqiptarë, t’iu mundësohet jetesa këtu, të respektohen nga shteti i tyre dhe kur është e pamundur të ndihmohen. Janë shumë faktorë që duhet të plotësohen përpara se të them “krenar që jam shqiptar”. Se kur thotë George Carlin “çfarë dreqin është kjo krenar të jesh amerikan, kur qenia amerikan është vetëm një aksident seksual”, i cili banon në kombin më të begatë që hap luftë për jetën e shtetasve të tij, çfarë mund të themi ne, kur na tall nga i pari i qeverisë e deri tek polici i sportelit në kufi.

Unë nuk kam vendosur të iki dhe as më vjen turp që jam shqiptar. Natyrisht do më pëlqente të kisha lindur amerikan, por meqë nuk ndodhi, dua të jap një dorë që ta bëj këtë hise toke që më ra për fat, ku lindën dhe u varrosën gjyshërit e mi dhe im atë, të begatë dhe të jetueshme për vete dhe time bijë, që njerëzia mos ikin nga sytë këmbët. Kaq. Asgjë më shumë.