Ronaldo ‘Fenomeni’ me batutë për Messin: Në moshën e tij unë peshoja 120 kilogramë
Paraqitjet e jashtëzakonshme të Lionel Messi në Kupën e Botës 2026 vazhdojnë të marrin vlerësime nga figurat më të mëdha të futbollit.
Këtë herë ka qenë legjenda braziliane Ronaldo Nazario, i njohur si “Fenomeni”, që ka pranuar se argjentinasi tashmë ka hyrë në një dimension të veçantë të historisë së futbollit.
Pas dopietës ndaj Austrisë, Messi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, duke lënë pas emra legjendarë si Ronaldo dhe Miroslav Klose.
Braziliani nuk kurseu elozhet për yllin argjentinas, duke theksuar se statistikat flasin vetë.
“Për perënditë e futbollit, këto statistika tregojnë se ai ka kaluar të gjithë të tjerët. Nëse dikush e meriton titullin e golashënuesit më të mirë të të gjitha kohëve, ai është padyshim Messi. Është 38 vjeç, o Zot! Unë në moshën 38-vjeçare kisha mbyllur karrierën time prej katër vitesh dhe peshoja 120 kilogramë”, deklaroi Ronaldo.
Messi po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm, duke shënuar pesë gola në dy ndeshjet e para dhe duke udhëhequr Argjentinën drejt fazës me eliminim direkt.
Forma e tij ka mahnitur jo vetëm tifozët, por edhe ish-futbollistët më të mëdhenj të historisë.
Ronaldo, i cili për shumë vite mbajti statusin e një prej sulmuesve më të mirë që ka njohur futbolli, e mbylli karrierën me 15 gola në Kupat e Botës dhe mbetet një ikonë e Brazilit.
Megjithatë, sipas “Fenomenit”, ajo që po bën Messi në moshën 38-vjeçare është diçka e rrallë dhe e vështirë për t’u krahasuar. Argjentinasi vazhdon të thyejë rekorde dhe të forcojë kandidaturën e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.