Strategu Izraelit godet Ramën : Paratë e drogës vërshojnë në Shqipëri, duhet qeveri e re
Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në intervistën e fundit për Financial Times kanë sjellë reagime të menjëhershme në rrjetet sociale.
Strategjisti i njohur izraelit, David Zaikin iu referua një prej deklaratave të Ramës, ku kryeministri argumentonte se investimet e huaja janë pozitive dhe se akuzat për lidhje me krimin nuk qëndrojnë.
Në një reagim publik në platformën X, Zaikin shkruan se është dakord me Ramën vetëm në një pikë: se investimet janë të mira dhe se mafia ka një udhëheqës tjetër. Megjithatë, ai shton se gjatë qeverisjes së tij si kryeministër i Shqipërisë, sipas Zaikin, “paratë e drogës kanë vërshuar në vend” dhe se “disa oligarkë kanë kapur turizmin, tregtinë me pakicë dhe sektorin e energjisë”.
“Jam dakord me Edi Ramën: investimi është i mirë dhe mafia ka një udhëheqës tjetër. Por gjatë qeverisjes së tij, paratë e drogës kanë vërshuar dhe disa oligarkë kanë kapur turizmin, tregtinë me pakicë dhe energjinë. Shqipëria ka nevojë për udhëheqje të re dhe për një qeveri kujdestare”, shkruan Zaikin.
Reagimi vjen pas intervistës së Ramës për Financial Times, ku kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat e protestuesve që e cilësojnë atë si “Kumbarin e Shqipërisë” dhe mbrojti projektet e mëdha turistike që po zhvillohen në vend.
Në intervistë, Rama deklaroi se nuk është detyra e tij të provojë se nuk është “Kumbari”, por e kundërshtarëve të tij të provojnë të kundërtën.
Deklaratat e kryeministrit dhe reagimet që kanë pasuar janë bërë pjesë e debatit publik që po shoqëron protestat e vazhdueshme kundër qeverisë dhe projektet e mëdha të investimeve në zonat bregdetare të Shqipërisë.