‘Enveri i Dytë’-Piktori ndërton një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për shqiptarët!
Të rinjtë që protestojnë në Tiranë, në mos më shumë, ia dolën të shpalosin një të vërtetë: se Shqipëria është një vend që sheh ëndrra demokratike, por që bën gjumë në shtratin e mendësisë enveriste.
Por me një dallim: Enveri i kohës komuniste e bëri Shqipërinë burg për shqiptarët, ndërsa “Enveri i Dytë” – Piktori – po ndërton një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për shqiptarët.
Kush nuk e beson këtë, le ta marrë e ta shfletojë librin “The Albanian Files” (Dosjet e Shqipërisë), ku do të shohë se si pronari i vetëm i Shqipërisë – Piktori – i ka porositur arkitektët e botës që t’ia ndërtojnë një Shqipëri që do t’i dëbojë shqiptarët.
Dhe ka vite që ai e ka nisur ndërtimin e asaj Shqipërie, i papenguar nga askush.
Pjesë e atij ndërtimi ishte edhe rrënimi i kujtesës shqiptare, si për shembull shndërrimi në gërmadhë i Teatrit Kombëtar në Tiranë, me çka vazhdoi ta shndërrojë Shqipërinë në një vend ku do të ketë pleq për të vdekur, por jo edhe të rinj për të lindur fëmijë dhe për t’i varrosur pleqtë që japin shpirt.
Dhe tani, kur kjo rini ia zbuloi planin shkatërrues ndaj shqiptarisë, plan që nuk u kishte shkuar ndërmend as armiqve më të mëdhenj të popullit tonë, atij nuk i ka mbetur gjë tjetër përveçse të bëjë çmos për t’i përçarë shqiptarët, duke i shpallur ata iranianë, serbë, grekë e çfarëdo tjetër.
Në të vërtetë, ai as nuk gënjen kur thotë se protestuesit janë “të huaj”, sepse shqiptarët ai kurrë nuk i ka ndjerë si të vetët.
Andaj edhe kishte për qëllim që shqiptarët t’i zëvendësonte me të huaj të dëgjueshëm, të cilët nuk do ta ndjejnë këtë tokë si të tyren dhe, për rrjedhojë, as që do t’u pengojë kur ajo të shitet.
Që t’i përçajë dhe t’i dobësojë protestuesit që kanë mbushur bulevardet e Tiranës, ai pa dashje shpalosi edhe një të vërtetë tjetër: gjithmonë i ka ndjerë si të huaj dhe si armiq shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të mëmëdheut.
Më në fund, Piktori as që e di se Shqipëria është më e rëndësishme për shqiptarët që jetojnë jashtë saj sesa për ata që jetojnë në shtetin që ai e ka shndërruar në pronë të vetën, sepse pa të ata do të mbeteshin pa emër.
Ai nuk e kupton se nuk do të ekzistonte as kjo Shqipëri e vogël, të cilën ai e zhvat, po të mos ishte ëndërr mbarëshqiptare dhe po të mos kishin derdhur gjak për të edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, Çamërisë e viseve të tjera shqiptare.
Ai nuk e ka përjetuar se sa keq ndihet shqiptari jashtë mëmëdheut kur Shqipëria ka një parlament me të cilin tallet e tërë bota dhe një kryeministër qesharak, sikur të ishte klloun cirku.
Nga ta dijë ai se çfarë tragjedie është për shqiptarin kur atë e përfaqëson një njeri të cilit i pengon që populli i tij të mendojë dhe të veprojë mbarëshqiptarisht.
Andaj, protestat në Tiranë do të dështojnë vetëm nëse Piktori arrin t’i përçajë protestuesit, gjë që do të ishte përfundimisht turpi më i madh i shqiptarisë dhe një leje e hapur për Piktorin që të vazhdojë të ndërtojë një Shqipëri ku nuk do të ketë më shqiptarë.