Fjoralba Ponari tall Ramën, publikon foton: Makroni s’ankohet për plehrat e protestuesve
Moderatorja shqiptare Fjoralba Ponari, e angazhuar aktivisht në organizimin e “Revolucionit Flamingo”, ka vijuar kritikat dhe ironitë ndaj kryeministrit Edi Rama, këtë herë duke përdorur si shembull presidentin francez Emmanuel Macron.
Teksa polemikat mbi protestat janë përqendruar edhe te pretendimet për ndotjen e bulevardit nga protestuesit, Ponari i është përgjigjur me ironi nga kryeqyteti francez, duke sjellë në vëmendje reagimet ndaj protestave në Francë.
“Si korespondente nga Parisi po ju njoftoj se Makron s’ka dalë të ankohet për plehrat e protestuesve”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Më herët, Ponari e cilësoi protestën e së shtunës si një moment historik, duke vlerësuar pjesëmarrjen e diasporës dhe ndikimin e saj në mobilizimin qytetar.
“Faleminderit diasporës! Emocionet që na dhuruat dje ishin të jashtëzakonshme. Dje u shkrua histori. Protesta arriti një moment kulmor që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë”, u shpreh moderatorja.
Në reagimin e saj, ajo theksoi gjithashtu se pas suksesit të protestës vjen një përgjegjësi më e madhe për të gjithë pjesëmarrësit, duke kërkuar ruajtjen e karakterit qytetar dhe paqësor të lëvizjes.
“Tani kemi një përgjegjësi edhe më të madhe. Nuk duhet të lejojmë, në asnjë moment, që protesta të humbasë karakterin e saj qytetar, paqësor dhe dinjitoz”, deklaroi Ponari.
Kjo nuk është hera e parë që moderatorja përdor ironinë dhe sarkazmën ndaj Ramës. Përmes videove të saj virale në rrjetet sociale, ajo ka përcjellë shpesh mesazhe dhe informacione lidhur me zhvillimet në bulevard, duke i kombinuar ato me komente kritike ndaj qeverisë dhe kryeministrit.