RENEA shkoi për Zallën por kapi Allën/ Dështon operacioni në Krujë për arrestimin e të shumëkërkuarit
Policia e Tiranës këtë të martë në bashkëpunim me RENEA-n kanë zhvilluar një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e të shumëkërkuarit Ylli Zalla.
Operacioni për kapjen e 49-vjeçarit u zhvillua gjatë natës pas informacioneve për vendndodhjen e tij.
Pas kontrollit në banesë Zalla nuk është gjetur aty. Policia ka gjetur një pistoletë e cila dyshohet se i përket 49-vjeçarit i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.
Zalla rezulton i shpallur në kërkim pasi policia zbuloi një sasi arsenali armësh në fshatin Zall të Fushë-Krujës në kuadër të kontrolleve të zhvilluara pas atentatit të Rinasit ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Por policia nuk është kthyer krejt bosh.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Ylli Zalla, në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin Fatmir Alla, 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat.
Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Njoftimi:
Krujë/Operacion në fshatin Zallë, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar.
Operacioni, mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e 49-vjeçarit.
Në operacion DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Lexo edhe: EMRI/ Dështon RENEA në Fushë-Krujë, gjuan me armë por i kërkuari arrin të largohet nga rrethimi
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Y. Z., në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Y. Z., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit Y. Z.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.