Flitet, se Rama i ka dashur shumë tragjeditë e Shekspirit, por çfarë ka mësuar prej tyre?
Nëse është e vërtetë se Edi Rama i ka dashur shumë tragjeditë e Shekspirit siç flitet , atëherë pyetja më interesante nuk është çfarë ka lexuar prej tyre, por çfarë ka mësuar. Sepse Shekspiri na mëson se pushteti pa kufij e shndërron njeriun në rob të vetvetes, se krenaria paraprin rënien dhe se frika që sundimtari mbjell tek të tjerët, një ditë kthehet për të banuar në zemrën e tij. Unë kam mësuar shumë nga Shekspiri. Nëse ai nuk ka mësuar asgjë, atëherë ndoshta tragjeditë i ka parë si histori për t'u admiruar, jo si paralajmërime për t'u dëgjuar. Dhe ky është fillimi i çdo tragjedie të vërtetë politike."
Sepse në jetën e çdo sundimtari vjen një ditë kur ai zbulon se ajo që e quante mbretëri nuk ishte gjë tjetër veçse një strehë e ndërtuar kundër frikës së vet. Ai kishte ngritur mure për të mbajtur larg realitetin, por realiteti nuk sulmon si ushtri. Ai hyn si uji në themelet e një kalaje të vjetër, në heshtje, përmes çarjeve që syri i pushtetit nuk i sheh kurrë.
Makbethi i Shakespeare-it nuk bëhet tragjik në çastin kur vret. Tragjik bëhet në çastin kur kupton se vrasja nuk i ka dhënë atë që kërkonte. Kurora është mbi kokën e tij, por paqja nuk është askund. Froni është i tij, por gjumi jo. Oborri i përkulet, por hijet vazhdojnë ta ndjekin. Dhe kështu ai hyn në atë fazë të errët të pushtetit ku njeriu nuk sundon më për të fituar diçka, por vetëm për të mos humbur atë që ka fituar.
Që nga ai moment, çdo fytyrë bëhet e dyshimtë, çdo kritik armik, çdo pyetje komplot dhe çdo protestë një kërcënim ekzistencial.
Kjo është arsyeja pse tiranët e të gjitha kohërave ngjajnë kaq shumë me njëri-tjetrin. Ata ndryshojnë gjuhën, kostumin, ideologjinë dhe sloganet, por jo psikologjinë. Të gjithë jetojnë në të njëjtën natë. Të gjithë dëgjojnë të njëjtat trokitje pas dyerve. Të gjithë shohin të njëjtat fantazma.
Dhe fantazma më e madhe është populli.
Jo populli i nënshtruar, jo populli që pret, jo populli që hesht, por ai që vendos të flasë.
Prandaj, kur një numër i madh njerëzish mblidhen për të shprehur pakënaqësinë e tyre, për të kërkuar ndryshim ose për të dëshmuar se nuk janë më të gatshëm të pranojnë versionin zyrtar të realitetit, sundimtari i Tiranës Edi Rama sot i frikësuar nuk e sheh ngjarjen si një shprehje politike. Ai e sheh atë si një kërcënim psikologjik. Nuk sheh njerëz por hije. Nuk dëgjon zëra por jehonat e rrezikut.
Dhe pikërisht këtu fillon ajo që mund të quhet propaganda e ankthit.
Nuk është propaganda klasike e regjimeve të vjetra, e cila mbështetej mbi censurën e hapur dhe frikën fizike. Është diçka më e hollë dhe më moderne. Është përpjekja e përhershme për t'i bindur njerëzit se ajo që po shohin me sytë e tyre nuk është e vërtetë. Se realiteti duhet zëvendësuar me interpretimin e pushtetit. Se përmasat e një proteste nuk duhen matur nga njerëzit që marrin pjesë në të, por nga mënyra se si ajo paraqitet në ekran. Se emocionet e një shoqërie nuk duhen kuptuar nga ajo që ndodh sot vrullshëm nëpër rrugë, por nga ajo që prodhohet në laboratorët e komunikimit politik të regjimit regjimit që është në fuqi.
Në këtë pikë Edi Rama sot si sundimtar që është bërë po sillet si një dramaturg i keq që kërkon të ndryshojë fundin e shfaqjes ndërsa publiku është ende në sallë.
Ai nuk lufton më kundër kundërshtarëve. Lufton kundër vetë realitetit.
Dhe kjo është gjithmonë një betejë e humbur.
Shakespeare e dinte mirë këtë. Për këtë arsye, ai i dënon personazhet e tij jo me humbje ushtarake, por me humbje të kontaktit me të vërtetën. Makbethi vazhdon të besojë se mund ta kontrollojë fatin edhe kur fati ka nisur ta braktisë. Ai vazhdon të besojë te profecitë që i pëlqejnë dhe shpërfill ato që e paralajmërojnë. Ai zgjedh iluzionin sepse iluzioni është më i rehatshëm se e vërteta.
Ky është mallkimi i çdo pushteti të gjatë.
Pas shumë vitesh, sundimtari ynë nuk arrin më të dallojë kufirin midis botës reale dhe botës që i kanë ndërtuar oborrtarët.
Oborrtarët janë një kapitull më vete në këtë tragjedi.
Ata janë njerëzit që ushqehen me frikën e princit. Janë ata që i tregojnë çdo mëngjes se populli e adhuron, se kundërshtarët janë qesharakë, se zemërimi është iluzion, se pakënaqësia është fantazi dhe se çdo kritikë është produkt i keqdashjes.
Në oborrin e Makbethit kishte shtriga.
Në oborrin moderne të Edi Ramës ka patronazhistë.
Funksioni është i njëjtë.
Të dyja palët prodhojnë iluzione.
Por iluzionet kanë një problem të madh: nuk zgjasin përballë realitetit.
Prandaj bëhet kaq e çuditshme dhe njëkohësisht kaq tragjikomike kur sundimtari Edi Rama përpiqet të përdor letërsinë për të luftuar kundër realitetit. Ai merr emrat e mëdhenj të kulturës, personazhet e romaneve, figurat e pavdekshme të artit europian dhe përpiqen t'i shndërrojnë në argumente propagandistike, sikur Stendali, Shakespeare apo Balzaku të ishin analistë të oborrit të tij.
Por letërsia e madhe nuk është krijuar për t'u vënë në shërbim të pushtetit.
Përkundrazi. Ajo ekziston për ta vëzhguar pushtetin me dyshim.
Nëse Shakespeare do të ecte sot mes nesh, ai nuk do të ishte në oborrin e princit. Ai do të ishte atje ku rri gjithmonë dramaturgu i madh: mes njerëzve që vëzhgojnë me habi dhe shqetësim tragjedinë e pushtetit.
Sepse Shakespeare nuk ishte poeti i mbretërve.
Ai ishte anatomisti i tyre.
Ai i hapte si kirurg dhe u tregonte njerëzve mekanizmin e brendshëm të ambicies, frikës, narcizmit dhe çmendurisë.
Dhe kur lexon fundin e Makbethit, kupton se Shakespeare nuk urren personazhin e tij.
Ai thjesht e zhvesh. U heq kurorën, garden dhe pushtetin
Dhe në fund lë vetëm një njeri të trembur që e kupton se ka humbur gjithçka duke kërkuar të zotërojë gjithçka.
Në çastin kur sundimtari sheh se gjithë propaganda, gjithë spektakli, gjithë zhurma dhe gjithë pushteti nuk kanë qenë gjë tjetër veçse një perde e hollë përpara një të vërtete të thjeshtë: se asnjë njeri nuk mund të jetojë pafundësisht kundër realitetit.
Dhe kur realiteti troket më në fund në portat e kështjellës, ai nuk hyn me ushtri.
Ai hyn me të vërtetën.
Ndërsa e vërteta, siç e dinte Shakespeare më mirë se kushdo tjetër, është armiku i vetëm që nuk mund të vritet.
"Shekspiri nuk i shkroi tragjeditë për të na treguar se si fitohet pushteti, por për të na treguar se çfarë i ndodh njeriut kur beson se pushteti është më i madh se ndërgjegjja. Pikërisht aty fillon rruga e Makbethit dhe mbaron liria e çdo sundimtari."