‘I tmerruar’/ Berisha: Rama e deformoi projektin ‘Smart City’ për të vendosur nën kontroll të plotë qytetarët
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar me denoncimin e projektit ‘Smart City’, si një mjet kontrolli të qytetarëve nga kryeministri Edi Rama.
‘Rama e deformoi projektin ‘Smart City’ për të vendosur nën kontroll të plotë qytetarët pasi është i tmerruar prej tyre’, u shpreh Berisha gjatë konferencës me gazetarët në selinë blu.
Berisha: Pra, ‘Smart City’- ‘Safe Nation’ këta oruellianët.
Nga përmirësimi i cilësisë së jetës dhe shërbimeve publike tek kontrolli i popullsisë dhe parandalimi i gjoja kërcënimeve.
Nga shërbimet e trafikut, transporti, energji, parkim, ndotje tek siguri, rend, identifikim, monitorim i sjelljes dhe aktiviteteve.
Nga të dhënat e agreguara anonime për analiza dhe planifikim tek të dhëna personale të identifikueshme në kohë reale në shtetin policesk.
Nga kufizim vetëm në shërbime tek e gjërë dhe e vazhdueshme në shumë nivele dixhitale.
Nga platforma të hapura analitike tek kamera IA, njohje fytyre, të dhëna, integrim në baza të dhënash.
Nga ligje për mbrojtjen e të dhënave tek ligje të gjera shpesh të paqarta dhe të frikshme.
Nga të dhëna dhe algoritme shpesh publike në zero transparencë.
Nga përfitimi i shërbimeve më të mira për qytetarët tek mbikëqyrja e qytetarit dhe profilizimi i tij në shtetin policor.
Nga në funksion të shërbimeve publike, planifikimit urban, politika publike në kontroll, hetim, ndjekje, parashikim të sjelljes dhe profilizim të qytetarit.
Nga rrezik i ulët për privatësinë nëse ka kontroll dhe auditim në rrezik i lartë për privatësinë, abuzim politik dhe diskriminim.
Pra, këto janë dallimet esenciale midis kombit të sigurt dhe qytetit të mençur.
Është një hap tjetër që Edi Rama, i tmerruar nga qytetarët shqiptarë, i tmerruar përpiqet t’i dominojë ata duke i vendosur ata në kontroll të plotë nga mëngjesi gjer në darkë në çdo lëvizje të tyre.
Tejkalon të gjitha regjimet autoritare.
Të gjitha këto vijnë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Shqipërisë, në kundërshtim flagrant me direktivën e BE.
Pra, janë një shkelje e rëndë e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe e dënojmë me forcën më të madhe.