Shqiptari i arratisur nga burgu prej katër vitesh kapet gjatë një hetimi për trafik kokaine në Britani
Një shtetas shqiptar, i cili kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për katër vjet pasi ishte arratisur nga burgu, është zbuluar dhe dënuar në Britaninë e Madhe gjatë një hetimi për trafik droge.
Zenel Marku, 34 vjeç, u dënua në Gjykatën e Kurorës në Chester për përfshirje në furnizimin me kokainë, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Eldjan Mandrii, 24 vjeç. Të dy u shpallën fajtorë edhe për posedim të kokainës me qëllim furnizimin dhe posedim të dokumenteve të falsifikuara.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se Marku ishte arratisur nga një burg i hapur në vitin 2021, menjëherë pasi ishte transferuar atje për të vuajtur një dënim të lidhur me krime të rënda droge të kryera në vitin 2018. Gjykata dëgjoi gjithashtu se të dy të pandehurit ndodheshin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimi nisi më 9 prill, kur një oficer i policisë së Cheshire ishte dëshmitar i një transaksioni droge mes Mandriit dhe një blerësi. Ky i fundit u ndalua nga policia dhe u dha autoriteteve numrin e kontaktit të përdorur për shitjen e drogës, si dhe përshkrime për dy shqiptarët e përfshirë.
Një natë më vonë, operatorët e kamerave të sigurisë njoftuan policinë për një tjetër aktivitet të dyshuar të shpërndarjes së drogës pranë një kanali. Oficerët identifikuan Mandriin, i cili tentoi të hidhte drogën në ujë sapo pa policinë.
Gjatë arrestimit të tij, telefoni i Mandriit vazhdonte të merrte telefonata për porosi droge. Më pas, gjatë kontrollit në banesën ku ai qëndronte, policia gjeti Markun së bashku me një telefon që përmbante mesazhe të lidhura me aktivitetin kriminal.
Në pronë u sekuestruan rreth 2,000 paund para të gatshme, si dhe dokumente të falsifikuara që i përkisnin të dy të pandehurve.
Avokati mbrojtës i Markut argumentoi se klienti i tij ishte vënë nën presion nga grupe kriminale për të shlyer borxhe dhe kishte hyrë në trafikimin e drogës si mënyrë për të siguruar të ardhura. Ndërkohë, mbrojtja e Mandriit tha se ai kishte ardhur në Britani në kërkim të një jete më të mirë, por kishte përfunduar duke punuar ilegalisht dhe më pas ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës në këmbim të strehimit dhe një pagese modeste.
Në përfundim, gjykata dënoi Zenel Markun me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg për të gjitha veprat penale, dënim që do të fillojë pasi ai të ketë përfunduar gjashtë vitet e mbetura nga dënimi i mëparshëm i vitit 2018.
Eldjan Mandrii u dënua me 26 muaj burg, përfshirë tre muaj shtesë për posedim dokumentesh të falsifikuara, dhe pas vuajtjes së dënimit do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar.