'Edhe unë jam në protestë!': Revolta e ekonomistes së emigruar në Kanada!
Nga Luljeta Senka/
Protesta e “Flamingove” u bënë 21 ditë dhe vazhdon fuqishëm protesta në Tiranë. Kam qenë çdo ditë aty me mendje dhe zemër, pavarësisht se jam në Kanada.
Takimi i sotëm i Edi Ramës me stafin e tij më bëri shkak të shkruaj. Mënyra se si ai vetëm fliste dhe të tjerët mbanin kokën poshtë dhe sytë e ngrysur, për të cilën duket qartë se shumë nga ata nuk ishin dakord me fjalimin e tij. Kjo më kujton mua liderin komunist Enver Hoxha, që nuk mund ta kundërshtonte njeri.
Dhe gjëja më e keqe është se si z. Edi Rama trajton popullin e tij. Këtë popull që i ka dhënë mbështetje për vite me radhë, i kanë hapur derën kudo ku ka vajtur. Përbuz, ironizon dhe tallet me votuesin e tij. Duket se deri tani nuk po e merr seriozisht.
Pretendimet e tij që populli shqiptar do bëhet i pasur nga shitja e ishullit, shitja e bregdetit, dhënia me qira e bregut të detit në mes të qytetit, dhe mbase shumë të tjera shitje do t’i marrim vesh më vonë, se çfarë fshihet pas tyre, por një gjë është e sigurt, nuk janë për të mirën e popullit shqiptar.
Koha ka vërtetuar gjithçka:
Fitimi nga zona e Marinzës (kompanitë e huaja që menaxhojnë aty dhe bilancet e tyre dalin me humbje për çdo vit, dhe paratë shkonin në duart e një grupi hajdutësh).
Plani për dhënien e një pjese të Ishullit të Sazanit ku është një pikë turistike që shumë turistë vendas dhe të huaj e vizitojnë.
Nëse kryeministri do të mendonte se duhet zhvilluar ai ishull, mund të vepronte siç në 13 vite tentoi me qytetet e tjera, por jo duke e shitur apo falur në emër të investimit. Por duket se kur të vjen fundi, zgjidhet gjithmonë rruga më e shkurtër. E për më tepër, nëse ka një vendimmarrje ku diskutohet fati i vendit apo pasuria e përbashkët e shqiptarëve, vendimmarrja kurrsesi nuk mund të jetë e një individi, por as edhe e një grupi parlamentar, por më e gjerë, me pëlqimin e vetë popullit.
Ishulli është një zonë ushtarake, që u projektua si i tillë, e madje edhe për t’u mbijetuar edhe armëve bërthamore, ku ka një numër tunelesh për të ruajtur rezerva shtetërore. Apo mund të shndërrohet si një ndër ishujt e bukur të Greqisë. Kam ndërmend Greqinë që, kur ishte në krizë financiare dhe i kërkuan të shiste ishuj. Por nuk e bëri, rezistoi edhe përballë krizës më të rëndë që ai vend kaloi dhe në fund nuk u dorëzua për të shitur asnjë pëllëmbë nga territori i saj, se i përkiste popullit. Shtetarët grekë e dinin këtë, madje edhe pasojat nëse do ta ndërmerrnin atë akt.
Për vite me radhë kthehem në Shqipëri, nga malli më shumë se sa për vendet e bukura që kemi. Ndjeja një kënaqësi të papërshkrueshme kur shkoja në jug. Çmallesha jo vetëm me njerëzit e mi, por edhe me vendin tim. Por sot, sa herë që vij, nuk e kam më këtë mundësi. Edhe pse prej vitesh në Kanada, nuk e kam krijuar mundësinë të përballoj çmimet e resorteve luksoze që kanë mbirë si çiban në breg të detit.
Këto resorte janë investimet? Resorte që atë vend ku unë dhe shumë si unë shkonim për të shijuar bregdetin, e tani është kthyer në një luks të paarritshëm për ne? Ndjej keqardhje kur shoh që jo toka, bregdeti, por edhe për të hyrë në plazh nuk lejohesh pa paguar faturat e kripura.
Nuk janë për shumicën e popullit që të kanë votuar. Çmimi i akomodimit ishte shumë i lartë. Çmimi i një çadre është shumë i lartë. Jo vetëm që ishte zaptuar plazhi, por nuk ishte lënë asnjë shteg për qytetarët si hapësirë publike, pasi kjo mund t’i prishë imazhin oligarkut ndërtues. Për shkak të largësisë, detyrohem shpesh që pushimet t’i bëj në vendet e kontinentit ku jetoj, dhe nuk është kështu si në Shqipëri, madje shumë më ndryshe. Është shkelje me dy këmbë e ligjit. Çdo privat ka të drejtë të shesë pasurinë e tij, por jo të zaptojë zonën bregdetare, sepse është publike, është e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Këtë mund ta shikosh shumë mirë në çdo vend të botës. Në Amerikë (Miami, Florida), në ishujt e Karaibeve, në Europë (Francë, Itali etj.). Hotele pa fund që kanë pishinat e tyre dhe në vijën bregdetare nuk lejohen çadra. Resortet mund të jenë dhe janë shumë herë më luksoze e më të bukura edhe se shumë “çibanë” të ndërtuar në Shqipëri sa për të zaptuar bregdetin, por në këto vende shteti jo që nuk u ka falur plazhin, por nuk i lejon as të zaptojnë vijën bregdetare. E në ato vende ku janë lejuar, zona është tepër e kufizuar. Sa për resorte madhështore dhe fitimet, më kujtua Kuba dhe shumë ishuj në Karaibe, që nuk e di sa avionë zbresin në ditë, por populli është tmerrësisht i varfër. Pse nuk përfiton populli i këtij vendi apo këtyre vendeve nga këto resorte luksoze, ku verojnë edhe shumë nga politikanët shqiptarë? Me këtë logjikë, Kuba dhe këto ishuj duhet të ishin ndër më të pasurit në botë. Pra, nuk ka lidhje as me pasurimin, as me punësimin e popullit ndërtimi i këtyre resorteve, por ka lidhje vetëm me mënyrën e të qeverisurit.
E sot, po aq e dhimbshme në Shqipëri është edhe shitja e lagunave, maleve e kodrave, po në emër të këtyre investimeve në “emër të popullit”.
Fjala se do të punësohen shumë… Brezi ynë i ri po mbaron shumica universitetet dhe duan punë. Të rinjtë shqiptarë janë shumë të zgjuar. Prindërit shqiptarë investojnë shumë për fëmijët e tyre. Ky vend ka më shumë nevojë për doktorë, infermierë, mësues, inxhinierë, IT etj. Është e pamundur të gjejnë punë dhe natyrisht do të emigrojnë. Resortet duan më shumë kuzhinierë, kamarierë, pastrues. Detyrimisht do të vijnë nga vendet më të varfra. Dhe me këtë logjikë, orientimi me argumentin e vendeve të punës është ose orientim i gabuar, ose vijim i një strategjie për të larguar edhe më shumë të rinjtë dhe thithjen e sa më shumë emigrantëve nga bota e tretë. Për të cilët Shqipëria mund të ketë nevojë, por kurrsesi edhe për vetë ata nuk është vendi që u ofron mundësi.
E shkruajta këtë për të thënë edhe unë fjalën time, si ata protestues aty. Me mendje dhe zemër jemi aty.
Ndaj bën mirë të ulësh egon se po të mbyt. Sepse çdo gjë vonon, por nuk harrohet, aq më tepër po qe e shkruar. “Shteti e kap lepurin me qerre” – kështu më thoshte shpesh babai im!
Të dua, Shqipëri.