E papritur për Egjiptin para ndeshjes me Iranin, i ndalohet hyrja në qytetin amerikan
Egjipti i Mohamed Salah është përballur me probleme të papritura udhëtimi vetëm pak orë pas fitores 3-1 ndaj Zelandës së Re në Kupën e Botës 2026, një sukses historik që e vendosi skuadrën në krye të Grupit G.
Skuadra egjiptiane kishte planifikuar të udhëtonte direkt nga Vancouver drejt Seattle, ku do të zhvillojë ndeshjen e radhës ndaj Iranit, por kërkesa për qëndrim të përkohshëm në qytet është refuzuar nga autoritetet e sigurisë.
Si pasojë, delegacioni është detyruar të kthehet në bazën stërvitore në Spokane, Washington, duke shtuar lodhjen fizike dhe logjistike para ndeshjes së radhës.
Federata e Futbollit të Egjiptit konfirmoi situatën përmes një deklarate zyrtare, ku trajneri Hossam Hassan sqaroi se ekipi kishte kërkuar të shmangte udhëtime të panevojshme.
“Autoritetet e sigurisë refuzuan kërkesën për qëndrim në Seattle, prandaj jemi të detyruar të kthehemi në Spokane”, thuhej në deklaratë.
Egjipti vjen pas një fitoreje të rëndësishme, ku shënuan Mostafa Ziko, Mohamed Salah dhe Mahmoud Trezeguet, duke regjistruar triumfin e parë historik në Botëror.
Ky sukses, i kombinuar me barazimin 1-1 ndaj Belgjikës në ndeshjen e parë, i ka vendosur egjiptianët në krye të grupit me katër pikë.
Ndeshja e radhës ndaj Iranit do të luhet më 27 qershor në Seattle, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi logjistikën e skuadrës.
Edhe Irani ka hasur vështirësi të ngjashme, duke u detyruar të stërvitet në Tijuana pavarësisht se ndeshjet i luan në SHBA.
Trajneri iranian Ardeshir Ghalenoei ka kritikuar ashpër këtë situatë, duke përmendur mungesën e kohës për përgatitje.
Egjipti mbetet në pozita të favorshme për kualifikim: një barazim mund të mjaftojë për fazën e 1/32-ës, ndërsa fitorja do t’i siguronte kalimin tutje pa llogari të tjera.