Spiropali sfidon Ramën: Algoritmet, haluçinacionet, fletë-rrufetë…s'më frigojnë
Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, ka reaguar pas sulmeve të ditëve të fundit në rrjetet sociale, të dirigjuara nga Rama, i cili e sulmoi vetë në mbledhjen e zgjeruar me deputetët dhe ministrat për shkak të qëndrimeve të saj kundër qëndrimeve politike të kryeministrit.
Spiropali ka thumbuar Ramën dhe ushtrinë e tij të patronazhistëve përmes një postimi në FaceBook, ku ka publikuar një mesazh me tone ironike dhe një poezi të poetes së njohur Anna Ahmatova.
Spiropali shigjeton deputetët, përfaqësuesit e PS në Shkodër dhe kritikëve të të tjerë të ndërsye duke shkruar: “Kur t'ju merren mënd' e t'ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës”.
Më tej, ajo kujtoi përvjetorin e lindjes së poetes Ahmatova, duke ndarë me ndjekësit poezinë e saj, e cila flet për forcën përballë sulmeve dhe vështirësive.
Pa përmendur emra konkretë, ish-ministrja le të kuptohet se i konsideron këto sulme si të nxitura dhe të mbështetura nga mekanizma të organizuar të komunikimit politik.
Përmes vargjeve të Ahmatovës, Spiropali le të kuptohet se kritikat dhe sulmet nuk e kanë dobësuar, por përkundrazi e kanë forcuar, duke i krahasuar ato me “gurët” mbi të cilët ndërtohet një kullë e fortë dhe e qëndrueshme.
Postimi i Spiropalit:
Mirëmëngjes
Kur t'ju merren mënd' e t'ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës, që lindi si sot, më 1889.
Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua
Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon,
Me ta një kullë e hijshme u ndërtua,
M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron.
Ndërtuesit e saj falënderoj,
Paçka se e ndërtuan me nxitim.
Prej saj më shpejt agimin e shijoj
Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim.
Dhe në dritaren time ditë për ditë,
Fryn erë deti, më flladit.
Në dorën time pëllumbi vjen e çukit,
E në mos mund të shkruaj më diçka,
Një ditë të perëndishme krahëlehtë,
Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.