Perceptimi i biznesit për korrupsionin arrin nivelin më të lartë historik në Indeksin e AmCham

Perceptimi i biznesit për korrupsionin në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë që prej nisjes së matjeve nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), duke treguar një përkeqësim të ndjeshëm të klimës dhe integritetit në ekonomi.

Sipas të dhënave të prezantuara në Indeksin e Biznesit, 68% e anëtarëve të AmCham e vlerësojnë korrupsionin si të lartë ose shumë të lartë, ndërsa vetëm 7% e konsiderojnë atë të ulët ose shumë të ulët. Një e katërta e bizneseve të anketuara mbajnë një qëndrim neutral.

Treguesi i perceptimit të korrupsionit ka rënë në 28.9 pikë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në historinë e indeksit. Rënia vjen pas një periudhe kur treguesi luhatej kryesisht mes 30 dhe 40 pikëve, duke arritur deri në 39.9 pikë në një nga matjet e fundit.

Të dhënat tregojnë se mbi dy të tretat e komunitetit të biznesit e shohin korrupsionin si një problem serioz, me 42.9% që e vlerësojnë si të lartë dhe 25.6% si shumë të lartë. Në të kundërt, vlerësimet pozitive mbeten modeste.

“Ky është një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj

Rezultati përbën sinjalin më negativ të regjistruar nga anketa e Dhomës Amerikane për këtë tregues dhe tregon se bizneset perceptojnë një përkeqësim të mjedisit ku operojnë, pavarësisht reformave dhe masave të ndërmarra ndër vite për forcimin e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.

Sondazhi i AmCham konsiderohet një nga matjet më të rëndësishme të perceptimit të investitorëve dhe kompanive që operojnë në Shqipëri, duke shërbyer si një tregues i besimit të sektorit privat ndaj institucioneve dhe funksionimit të tregut./Monitor