Më shumë se 200 ekstremistë të dyshuar u arrestuan në Ankara përpara samitit të NATO-s në korrik

Forcat e sigurisë në Ankara arrestuan sot më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë Shtetin Islamik, përpara një samiti të NATO-s muajin e ardhshëm.

Pritet që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, t’u bashkohet udhëheqësve të 32 anëtarëve të NATO-s në Ankara, në samitin e 7 dhe 8 korrikut.

Prokurorët lëshuan urdhër-arreste për 241 të dyshuar herët këtë mëngjes dhe 209 prej tyre u arrestuan më pas në bastisjet e policisë dhe xhandarmërisë në të gjithë Ankaranë, sipas një deklarate nga zyra e kryeprokurorit.

Aksioni do të vazhdojë derisa të kapen të gjithë të dyshuarit.

Midis të ndaluarve ishin 56 të dyshuar si ekstremistë të Shtetit Islamik dhe 35 anëtarë të Partisë/Frontit Revolucionar të Çlirimit të Popullit, një grup i ekstremit të majtë i njohur për sulme të armatosura dhe vrasje në Turqi.

Turqia po planifikon masa të rrepta sigurie për samitin, duke përfshirë ndalimin e demonstratave dhe kufizimin e aksesit në rrugët që të çojnë në aeroport, si dhe mbylljen e zonës përreth vendit të samitit dhe hoteleve që presin delegacionet.