Kreu i futbollit turk kërkon ligj kundër fyerjeve ndaj kombëtares: Kanë kaluar çdo kufi

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Hacıosmanoğlu, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe sulmeve të shumta në rrjetet sociale pas eliminimit të hershëm të Turqisë nga Kupa e Botës 2026, duke kërkuar madje ndërhyrje ligjore për të luftuar gjuhën e urrejtjes ndaj ekipit kombëtar.

Në një konferencë për shtyp para ndeshjes së fundit të grupit, kreu i futbollit turk doli në mbrojtje të trajnerit Vincenzo Montella dhe futbollistëve, duke theksuar se kritikat kanë kaluar kufijtë e normales.

“Po i drejtohem Ministrit tonë të Drejtësisë. Le të shikojë shembujt në botë. Besoj se është urgjente të miratohen ligje për të parandaluar degradimin moral të shoqërisë dhe për të ndihmuar zhvillimin e futbollit”, deklaroi Hacıosmanoglu.

Sipas tij, pretendimet për përçarje brenda kombëtares dhe komentet ndaj lojtarëve nuk mund të konsiderohen më kritikë sportive.

“Të thuash se ka kaos në ekip apo se kapiteni po mbledh lojtarët kundër trajnerit nuk është koment, por mungesë respekti. Disa njerëz po përpiqen të krijojnë përçarje në skuadër”, u shpreh ai.

Presidenti i federatës konfirmoi gjithashtu se Montella vazhdon të gëzojë mbështetjen e plotë të drejtuesve të futbollit turk dhe hodhi poshtë çdo spekulim për largimin e tij.

“Ne do të mbrojmë trajnerin dhe lojtarët tanë. Nuk i braktisim njerëzit me të cilët kemi nisur këtë rrugëtim. Nëse kanë arritur suksese me këtë ekip, do të vazhdojmë t’i mbështesim”, tha ai.

I pyetur për mundësinë e dorëheqjes së trajnerit italian, Hacıosmanoglu ishte i prerë: “As nuk kemi diskutuar për këtë temë. Nuk i kam dhënë mundësinë ta mendojë një gjë të tillë”.

Në fund, presidenti i TFF-së mori mbi vete përgjegjësinë për dështimin në Botëror, por insistoi se kombëtarja nuk meriton sulmet që ka marrë.

Ai kujtoi edhe rastin e humbur nga Merih Demiral, duke theksuar se një episod i vetëm mund të kishte ndryshuar krejt narrativën rreth ekipit.

“Nëse gjuajtja e Merihit do të kishte përfunduar në rrjetë dhe jo në shtyllë, sot do të flisnim për diçka krejt tjetër. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë 65 gjuajtje. A luajtëm vërtet kaq keq?”, përfundoi ai.