VIDEO/ Rama sulmon protestuesit në ‘Financial Times’: Shkoni q...
Teksa mijëra qytetarë vijojnë protestat kundër qeverisë, Edi Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet me gjuhë fyese dhe sfiduese. Në një intervistë për “Financial Times”, kryeministri hodhi poshtë akuzat për korrupsion dhe lidhje me interesa klienteliste, duke iu drejtuar protestuesve me shprehjen “Shkoni q...”, ndërsa pretendoi se janë ata që duhet të provojnë akuzat ndaj tij.
Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj protestave që prej javësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke sulmuar hapur qytetarët që e akuzojnë për korrupsion dhe favorizim të interesave të ngushta ekonomike.
Në një intervistë për “Financial Times”, Rama refuzoi të japë shpjegime për akuzat e ngritura nga protestuesit, duke zgjedhur përkundrazi t’i sfidojë ata me një gjuhë fyese.
“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘Shkoni q...’. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, por atyre ta provojnë se jam”, deklaroi Rama.
Deklarata vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë janë intensifikuar dhe kur opozita, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë kërkojnë dorëheqjen e tij, të cilin e mbajnë përgjegjës për afera të ndryshme që kanë përfshirë zyrtarë dhe biznesmenë të afërt me pushtetin.
Në intervistë, Rama mohoi se Shqipëria përballet me një problem të madh të pastrimit të parave, edhe pse pranoi se fenomeni ekziston.
“Të pretendosh se ekonomia shqiptare bazohet në pastrimin e parave është e tmerrshme”, tha ai, për të shtuar më pas se “pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh”.
Këto deklarata vijnë ndërsa SPAK ka ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave, duke lëshuar masa sigurie ndaj 20 personave të dyshuar, mes tyre edhe biznesmenë të njohur.
Pavarësisht klimës së tensionuar politike dhe hetimeve të fundit, Rama këmbënguli në mospranimin e këtij realiteti.
“Shqipëria po lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar se më parë”, u shpreh ai.
Kryeministri shfrytëzoi intervistën edhe për të sulmuar protestuesit, duke pretenduar se interesat politike ndërkombëtare qëndrojnë pas mobilizimit kundër qeverisë së tij.
Megjithatë, ajo që spikati më shumë në intervistë ishte jo mbrojtja e politikave të qeverisë, por gjuha përçmuese ndaj protestuesve, të cilët prej javësh kërkojnë dorëheqjen e tij dhe transparencë për vendimmarrjet e qeverisë. Në vend të reflektimit ndaj pakënaqësisë qytetare, Rama zgjodhi t’u përgjigjet kritikëve me sfidë dhe fyerje, duke e thelluar më tej përplasjen me protestuesit.