Vrasja e çiftit Mujeci, Gjykata e Lezhës lë në burg bashkëpunëtorin e autorëve! Besnik Koldreu: Nuk kam lidhje

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 40-vjeçarin e arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit të bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, më 26 prill të këtij viti në fshatin Balldren të Lezhës.

Në sencën me dyer të mbyllura Besnik Koldreu ka mohuar se ka lidhje me vrasjen e tyre.

“Jetoj dhe punoj në Malin e Zi. Nuk kam dijeni që autorët e krimit kanë fshehur makinën e përdorur prej tyre në afërsi të banesës ku jetojnë prindërit e mi (Torovicë)”, citohet të ketë dëshmuar ai.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 40-vjeçarit  për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.

Besnik Koldreu u arrestua nga policia malazeze në Ulqin pasditen e 17 qershorit, pasi ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit Mujeci.

Ndërkohë, për krimin e rëndë vijojnë të jenë në arrati edhe tre persona të tjerë, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kryer vrasjen: Renato, Florin dhe Adriano Mhillaj.

Çiftit të bashkëshortëve iu bë pritë në fshatin Balldren ku u ekzekutuan me rreth 30 plumba teksa po udhëtonin në drejtim të Torovicës. Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e hakmarrjes, pasi viktima Kreshnik Mujeci është akuzuar për vrasjen e Genc Mhillaj në vitin 2016, por deri më tani rezultonte të mos ishte dënuar.