Sherri për aeroportin/ Pacolli: Grupet kriminale kanë bllokuar aksesin. Kush i zbaton vendimet e gjykatave në Shqipëri….
Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht për situatën në Aeroportin e Vlorës, duke denoncuar atë që e cilëson si bllokim të paligjshëm të aktivitetit të kompanisë Mabco.
Në një postim në Facebook, ai ngre pikëpyetje mbi funksionimin e shtetit ligjor dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, ndërsa akuzon grupe të organizuara se po pengojnë vijimin e punimeve në një investim strategjik me vlerë mbi 310 milionë euro.
Postimi i plotë:
Grupet kriminale prapë kanë bllokuar aksesin në Aeroportin e Vlorës, ku Mabco ka investuar mbi 310 milionë euro!
A është KRIM bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi?
Nëse po, pse nuk po vepron askush?
Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?
Çfarë roli kanë rojet private në këtë vend?
Si është e mundur që një kompani private të vendosë se kush hyn dhe kush nuk hyn në një kantier, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe pavarësisht kërkesave të institucioneve shtetërore?
Si është e mundur që një kompani sigurie private të bllokojë fizikisht hyrjen në një aset strategjik kombëtar dhe askush të mos mbajë përgjegjësi?
Nëse çdo kompani në Shqipëri mund të marrë disa roje private, të vendosë kamionë në hyrje dhe të shpallë veten mbi ligjin, atëherë:
• Për çfarë na duhen gjykatat?
• Për çfarë na duhen institucionet?
• Për çfarë na duhet shteti?
Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi.
Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit. Sot shtrohet pyetja themelore: a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë apo jo?
Sepse, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës mund të bllokohet nga një grup njerëzish me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk është më Aeroporti i Vlorës.
Problemi është vetë shteti ligjor.
Prej muajsh, Mabco po përballet me pengesa të vazhdueshme dhe të papranueshme. Prej javësh po shohim vandalizëm, bllokime, dëmtime të pronës dhe pengim të punimeve.
Sot po shohim moszbatim të hapur të ligjit para syve të të gjithëve, si dhe privim të së drejtës për veprim dhe lëvizje.
Ku janë institucionet që duhet t’u japin përgjigje qytetarëve?
Kjo nuk është më një çështje vetëm e Mabco-s apo e 2A-së.
Kjo është një çështje që prek çdo qytetar.
Kush i zbaton ligjet në këtë vend?
Ligjin për shoqëritë tregtare?
Vendimet e Gjykatës së Lartë?
Apo rojet private?