'Bordi i Transparencës ishte farsë'/ Vasili: Pasurimi i oligarkëve mbi kurrizin e shqiptarëve
I ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, ish-deputeti Petrit Vasili u shpreh se situata ekonomike dhe politike në vend është rezultat i një skeme të mirëstrukturuar që rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë dhe favorizon një grusht interesash të lidhura me pushtetin.
Sipas tij, mekanizmat si Bordi i Transparencës në tregun e karburanteve nuk kanë funksion real rregullues, por shërbejnë si mburojë për çmime të larta dhe përfitime të përqendruara në duart e një rrethi të ngushtë oligarkik.
Vasili theksoi se kjo politikë ekonomike nuk është e izoluar, por shtrihet në disa fusha, nga mënyra e menaxhimit të krizave si pandemia dhe rritja e çmimeve, deri te përdorimi i buxhetit publik për projekte infrastrukturore me kosto të fryra dhe mungesë transparence. Ai argumentoi se kjo qasje ka sjellë rritje të barrës fiskale mbi qytetarët, përkeqësim të kushteve të jetesës dhe thellim të pabarazisë ekonomike.
Ai e lidhi këtë model qeverisjeje edhe me fenomenin e shpopullimit, duke pretenduar se mungesa e mbështetjes për qytetarët po i detyron ata të largohen nga vendi, ndërsa paralelisht po hapen diskutime për sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë. Sipas tij, kjo përbën një ndryshim të rrezikshëm të strukturës sociale dhe ekonomike të vendit, që kërkonpol reagim institucional.
Pjesë nga deklarata:
Nga gjithë bota, ekziston vetëm një politikë: të mos i preket as edhe një qime floku interesave të atyre që i kanë në duart e tyre tregjet e karburanteve, një pjesë e të cilave është monopol. Dhe problemi është se kjo barrë u bie shqiptarëve. Këtë gjë shqiptarët e mbajnë, sepse ky ka pasur, dhe ti e mban mend që e ke përmendur në një nga emisionet e tua, që Rama kishte diçka, gjoja për të hequr barrën. “Bëni ç’të doni, se këta janë një popull që nuk ngrihet.” E mbani mend çfarë thoshte në parlament atëherë? “Ky popull është, ngrihet, s’ngrihet”, siç e thoshte.
Dhe për këtë arsye, pra, mos hezitoni: ne do t’ua shkelim syrin tamam. Këta janë kanakarët tanë me të cilët ndajmë paratë, për të cilët i përdorim herë si përfitime, herë si prestanome të tyre, dhe që të mos u ndodhë asgjë dhe të fitojnë. Kështu që ngjarja e fundit dhe bordi i fundit ishte edhe më i turpshëm, sepse, siç e thashë, me uljen e karburanteve dhe me rritjen e të ardhurave, u hodh poshtë i gjithë diskutimi për rolin mafioz që ka pasur ky bord, jo në favor të shqiptarëve, por në favor të interesave gjithnjë e më të errëta kundër tyre.
Kjo pyetje zbërthen edhe thelbin e kësaj qeverisjeje mafioze. Marrim dy-tre fakte pikërisht për të ilustruar pyetjen tuaj. Në momentin që ju e dini që në momentin e pandemisë, për rimbursimin e barnave ambulatorë të mijëra e mijëra njerëzve që trajtoheshin në banesë, sepse nuk kishin mundësi dhe spitalet s’i mbanin, u bë gjoja sikur u aktivizua pas rreth 9 muajsh, dhe gjithsej u likuiduan rreth 300 apo 400 mijë euro, ndërkohë që nga xhepat e shqiptarëve kishin dalë afër 300 milionë euro për pandeminë.
Elementi i parë: në të gjitha krizat e ashtuquajtura të çmimeve, keni parë historinë atëherë me krizën e Ukrainës, që filloi rritja deri te çmimet e miellit, të sheqerit dhe të gjitha llojeve të tjera të çmimeve, të cilat nuk kishin asnjë lidhje ose kishin një ndikim minimal apo zero mbi tregun e vogël shqiptar e të tjera, u mundësua që të rriten pafund.
Keni parë të gjitha llojet e taksave që vetëm rriten pafund e pa anë. Deri te… po marr vetëm një shembull për ta ilustruar, sepse është shumë interesant. Ju e dini që edhe të gjithë qytetarët paguajnë në Tiranë taksën e arsimit. E paguajnë të gjithë, o Flavio, e kanë paguar të gjithë. Edhe imagjino, arrin deri te çfarë bëjnë ata: gjoja për të evituar që fëmijët të mos shkojnë në shkollë me dy turne, kanë rikonstruktuar shkollën “11 Janari”, po them unë me emrin e vjetër, që ta kuptojnë gjithë qytetarët, shkollë në mes të Tiranës, te Blloku. Por flas me të vjetrën që ta kuptojnë të gjithë. Shkolla “11 Janari” rikonstruktohet, o Flavio, dhe i bëjnë me pesë klasa më pak! E kuptoni? Nevoja ishte për të zgjeruar kapacitetet, sepse bëhen shkollat me turne; pasdite, po të shikosh atje në orën 5, bëhet si miting.
Pra, dua të them me fjalë të tjera, çdo veprim i këtyre është për të grumbulluar gjithnjë e më shumë para, sepse me këto para i shpërndajnë te këta që i quajta kanakarët e pushtetit, që janë një pjesë e madhe prestanome të tyre. Në fund, këto para shërbejnë për të blerë vota dhe për të mbajtur pushtetin, për të qëndruar atje sa më gjatë.
Sepse do të thoshte dikush: po cila është alternativa? Po alternativa është shumë e thjeshtë. Shteti mund të mbështesë gjithmonë qytetarët, ashtu siç i mbështet për shembull oligarkët. Ne kemi një rrugë atje, Thumanë–Kashar, apo jo? E cila na ka kushtuar për kilometër tetë herë më shumë se sa çdo vend tjetër i Ballkanit apo i Europës. Pra, bëhet fjalë për qindra milionë euro. Po kemi edhe rrugën Qukës–Qafë Plloçë, nuk i numërojmë dot, apo rrugë të tjera; është bërë dhe vazhdon të jetë një bulevard për qindra milionë euro.
Ndërkohë, shumë më pak do të mjaftonin për të kaluar këto kriza dhe për të mbështetur qytetarët, por këto nuk i bëjnë. Po pse nuk i bëjnë? Sepse këto lekë do të duhet të shkojnë si përfitim i drejtpërdrejtë për qytetarët, dhe nuk i vjedhin dot. Sepse këto para që kanë nëpër duar i shpërndajnë në tendera dhe koncesione, që dihet se është historia e tyre; këto të gjitha i përfitojnë vetë.
Dhe pastaj vjen ajo që ke dëgjuar ti, dhe e kanë dëgjuar të gjithë: deri në 300 euro, 400 euro, 500 euro për votë, për të blerë pushtetin dhe për të qëndruar atje sa më gjatë. Edhe për shkak të mungesës së mbështetjes reale për buxhetet familjare, detyrohen shqiptarët të largohen nga Shqipëria dhe Shqipëria shpopullohet.
Pastaj thonë: po kjo qeveri, e pacipë dhe mafioze, do të bëjë marrëveshje me Indinë e me të tjerë, që të vijnë 500 mijë, 1 milion apo 1 milion e gjysmë njerëz të punojnë në Shqipëri, që të mos ketë më shqiptarë, por të ketë njerëz që s’kanë as votë, as gjuhë, nuk dinë asgjë. Dhe mjaftojnë edhe 100 mijë veta në Tiranë që të votojnë dhe ta mbajnë pushtetin, pa iu interesuar fare shpërbërja e vendit në themel.
Pra, kjo skemë mafioze, thellësisht antikombëtare, shpërbërëse dhe shkatërrimtare, është kaq e qartë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e madhe që prej javësh shqiptarët janë në protesta, ku e gjithë kjo shumatore hallesh, një pjesë e të cilave po i diskutojmë bashkë, i bën të jenë aty, ku secili ka ndjerë peshën, përbuzjen dhe shfrytëzimin kriminal që i është bërë nga pushteti, si në fatkeqësitë ashtu edhe në jetën e përditshme.
Bordi i Transparencës dhe oligarkët janë një. Domethënë, këtë duhet ta kuptojmë njëherë e mirë. Pse? Sepse në rast se do të kishim politika qeveritare reale, o Flavio, nuk do të ishte kurrë e mundur që të kishim çmime karburantesh më të larta se në Maqedoni, Kosovë, apo edhe se në vende të tjera europiane shumë më të zhvilluara dhe me ekonomi shumë më të mëdha, ku qytetarët trajtohen shumë më mirë.