Sot është radha e Ronaldos, Portugalia përballet me debutuesit e Uzbekistanit (ora 19:00)
Portugalia dhe Uzbekistani do të përballen mbrëmjen e së martës në stadiumin “NRG” të Houstonit, në një duel të vlefshëm për xhiron e dytë të Grupit K në Kupën e Botës 2026. Në letër, bëhet fjalë për një përballje mes një prej favoritëve të turneut dhe një debutuesi historik në Botëror.
Portugezët hynë në këtë kompeticion me pritshmëri të mëdha, por barazimi 1-1 ndaj Kongos në ndeshjen e parë ishte një zhgënjim.
Tashmë skuadra luzitane nuk ka më vend për gabime nëse dëshiron të mbajë gjallë shpresat për vendin e parë në grup.
Megjithatë, forma e përgjithshme e Portugalisë mbetet pozitive. Kampionët në fuqi të Ligës së Kombeve të UEFA-s kanë pësuar vetëm një humbje në 14 ndeshjet e fundit ndërkombëtare, duke regjistruar 10 fitore dhe tri barazime.
Në anën tjetër, Uzbekistani u mposht 3-1 nga Kolumbia në debutimin historik në Kupën e Botës.
Megjithatë, skuadra aziatike tregoi momente interesante dhe vazhdon të besojë se mund të luftojë për një vend në fazën tjetër falë formatit të zgjeruar të turneut.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy kombëtareve. Një statistikë interesante tregon se Portugalia nuk ka fituar asnjërën nga dy ndeshjet e fundit ndaj përfaqësueseve nga Konfederata Aziatike.
Në prag të sfidës, Portugalia konsiderohet favorite e madhe, por Uzbekistani synon të befasojë dhe të mbajë gjallë ëndrrën e kualifikimit.
Sot vëmendja është te Cristiano Ronaldo, i cili ndeshjen e parë nuk shënoi dhe pati mjaft kritika.
Me rivalin historik Messin, që edhe dje realizoi 2 gola, presioni te CR7 është shtuar, ndaj kapiteni portugez do të synojë patjetër të zhbllokohet dhe të udhëheqë ekipin e tij drejt fitores së parë në Botëror.