VIDEO/ Përmbysje dramatike, Algjeria mposht Jordaninë dhe mban gjallë ëndrrën e kualifikimit

Algjeria ka marrë tri pikë jetike në Grupin J të Kupës së Botës 2026, duke përmbysur Jordaninë me rezultat 2-1 në një ndeshje plot emocione të zhvilluar në “San Francisco Bay Area”.

Fitorja mban gjallë shpresat e algjerianëve për kalimin në fazën tjetër, ndërsa Jordania eliminohet nga turneu në pjesëmarrjen e saj të parë historike në një Botëror.

Ndeshja nisi me raste nga të dyja skuadrat, me Amine Gouiri që kërcënoi i pari për Algjerinë, ndërsa Mousa Tamari provoi nga distanca për Jordaninë.

Me kalimin e minutave, “Luftëtarët e Shkretëtirës” morën kontrollin e lojës dhe krijuan disa raste të mira, por portieri Yazeed Abulaila ishte në një mbrëmje të shkëlqyer.

Megjithatë, ishte Jordania që goditi e para. Rreth dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë, Nizar Al Rashdan përfitoi nga një situatë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë për epërsinë 1-0.

Algjeria reagoi fuqishëm në pjesën e dytë dhe shtoi presionin në kërkim të golit të barazimit.

Përpjekjet e saj u shpërblyen kur Nadir Benbouali realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Riyad Mahrez.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Algjeria gjeti golin e fitores.

Pas një tjetër korneje, Gouiri dërgoi topin në rrjetë, ndërsa VAR-i konfirmoi vlefshmërinë e golit, duke vulosur përmbysjen 2-1.

Tashmë Algjeria do të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë, ndërsa Jordania do të përballet me Argjentinën vetëm për prestigj.

Përmbledhja e ndeshjes Algjeri-Jordani 2-1

https://www.fifa.com/en/watch/6MH3nU83TBWaW2rJyDG7UM