Dita e 23-të e protestës anti-qeveritare/ Largimi i Ramës, i panegociueshëm!' Dalin me 5 kërkesa!
Për të 23- tën ditë me rradhë protestuesit vazhduan rezistencën dhe protestën e tyre kundër qeverisë socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Me thirrjet për dorëheqjen e shefit të qeverisë, si zakonisht qytetarët kanë nisur marshimin e tyre nga sheshi 'Skënderbej', Tiranë, në drejtim të godinës së kryeministrisë, ku prej më shumë 48 orë dhjetëra qytetarë vazhdojnë qëndresën e tyre pa ndalim.
SYRI TV
Nga kryeministria grupi koordinues i protestës ka bërë publike 5 kërkesat e tyre, me fokusin kryesor tek dorëheqja e kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeveri teknike jo-partiake me afat 12 mujor. Gjithashtu grupi koordinues njoftoi se 4 kërkesat e bëra publikë në ditët e kaluara vazhdojnë të qëndrojnë.
1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, kërkojmë:
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Ndërkohë protestuesit kanë akuzuar qeverinë se është zhytur në afera të mëdha korruptive dhe po shkatërron e shpopullon çdo ditë Shqipërinë. Ndërkohë përfaqësues të diasporës shqiptare kanë paralajmëruar kryeministrin Rama se ata po vazhdojnë organizimin e tyre dhe do të jenë më të shumtë në numër protestat e ardhshme, pavarësisht kërcënimeve dhe ironive të tij.
Pas më shumë se 2 orësh qëndrimi para kryeministrisë, qytetarët marshuan në pikat kryesore të kryeqytetit, teksa bënë thirrje për një bashkim të madh kombëtar kundër qeverisë socialiste.
Në orën 22:45 minuta marshimi u kthye sërish para kryeministrisë duke bërë thirrje: Rama jepe dorëheqjen.
Ndërkohë protestat kanë vazhduar në Korçë, Gjirokastër, Vlorë e qytete të tjera të vendit.